Komuna e Fushë Kosovës ka pasur nderin të mbështesë monografinë “Lis i pa mposhtur – Shkolla Lismiri”, shkruar nga znj. Shemsije Fetahu, një pasqyrë e përkushtimit për arsimin shqip në fshatin Lismir të Komunës së Fushë-Kosovës.
Znj. Fetahu, ish-drejtoreshë e ShFMU “Lismiri”, ka udhëhequr me profesionalizëm dhe përkushtim shkollën. Humanizmin dhe bamirësinë, sipas saj duhet kuptuar si qëllim të fisnikërimit të shpirtit dhe jetës së njeriut, për cilën do arsye. Vizioni dhe misioni i saj ishte në edukimin dhe arsimimin e rinisë shkollore. Si drejtoreshë e shkollës së Lismirit, ajo u veçua për aktivitete të shumta vullnetare, bamirësie dhe humanitare. Aktivitetet i zhvilloi si mision i edukimit për fisnikërim të shpirtit dhe jetës së rinisë shkollore së Lismirit, përmes aksioneve të ndryshme
duke organizuar iniciativa të shumta si:
- “Nxënësi ndihmon nxënësin” – solidaritet mes nxënësve;
- “Dhuro një libër për shkollën” – pasurimi i bibliotekave;
- “Një lule për nënën” – aktivitete me vlera humane, etj.
Në të njëjtën kohë, përtej arsimit, u veçua edhe si aktiviste e barazisë dhe të drejtave të grave, më pas me punë vullnetare shumëvjeçare në fushën e arsimit, kulturës, rinisë dhe sportit në nivel të Komunës së Fushë-Kosovës. Në kuadër të 30-vjetorit të pavarësimit të ShFMU “Lismiri”, znj. Shemsije botoi këtë monografi duke dokumentuar, sukseset, rezultatet, vështirësitë, sfidat, sakrificat dhe kontributet e popullit shqiptar për arsimin shqip në Lismir nga fillimi e deri në ditët tona.
Znj. Shemsije, thotë se njerëzit gjithmonë mund të gjejnë një arsye dhe mundësi më shumë për humanizëm dhe bamirësi, në forma dhe mënyra të ndryshme. Humanizmi mbështetet edhe kur mbjellin shpresë dhe optimizëm, kur ofrojmë gëzim dhe buzëqeshje të sinqertë, kurajë dhe mirësi për jetë individuale e kolektive, sidomos për rininë tonë që është vlera dhe pasuria më e shtrenjtë që e kemi.
Mjetet e fituara nga shitja e këtij botimi, nga znj. Shemsije u dedikuan për bamirësi, veçanërisht grave përballë sëmundjes së kancerit dhe vështirësive ekonomike duke përcjellur mesazhin: “Nëse secili ndihmon tjetrin, askush nuk mbetet pa ndihmë.” dhe “Asnjë njeri nuk varfërohet nga bamirësia”.