Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Luljeta Shala dhe Suad Kryeziu janë fituesit e Vrapimit Përkujtimor “Osman Zharku 2016”

2016/04/19 - 2:10

Organizuar nga Klubi i Atletikës “Kalaja” të Bardhit të Madh dhe mbështetur nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Komunës së Fushë-Kosovës dhe Federata Atletike e Kosovës, në Bardh të Madh është mbajtur Vrapimi Përkujtimor “Osman Zharku 2016”.

Kjo garë i kushtohet ish/atletit dhe trajnerit Osman Zharku, i cili ka dhënë një kontribut të çmuar për zhvillimin e atletikës në këtë rajon. Të pranishmit i përshëndetën Halil Sylejmani, Kryetar i Federatës Atletike të Kosovës si dhe Bashkim Berisha, të cilët në emër të organizuesit të kësaj gare folën për Osman Zharkun dhe përkushtimin e tij për sportin e atletikës. Në këtë garë morën pjesë 250 atletë dhe atlete nga 12 klube të Kosovës të cilët zhvilluan gara në 9 disiplina në të dy gjinitë.

Në garën kryesore për të rritur fitues dolën Luljeta Shala, anëtare e Llapit të Podujevës dhe Suad Kryeziu, përfaqësues i ekipit Ragana të Kamenicës. Ndërsa në konkurrencën e juniorëve vendi i parë iu takoi Shkurte Shalës së Llapit dhe Çlirim Hysenit, anëtar i Trepçës 89. Më të dalluarit u nderuan me medalje dhe diploma, kurse fituesit në të gjitha disiplinat fituan edhe kupa. Me mirënjohje u nderua familja e Osman Zharkut si dhe të gjithë ata që kontribuuan për mbajtjen e kësaj gare.