Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Mbahet dëgjimi i tretë publik me qytetarë, prezantohen 74 projekte

2016/08/29 - 10:30

Komuna e Fushë-Kosovës ka publikuar buxhetin total për vitin 2017, i cili arrin shumën prej 9 milionë e 540 mijë e 837 euro, ku 2 milionë e 812 mijë e 467 euro ndahen për grant të përgjithshëm, 2 milionë e 829 mijë e 851 euro për grant të arsimit, 862 mijë e 546 euro për grant të shëndetësisë, 3 milionë e 035 mijë e 973 euro të hyra vetanake duke arrit kështu shumën e përgjithshme të të gjitha investimeve kapitale për vitin 2017, e që është 4 milion e 138 mijë e 049 euro.

Këto publikime u prezantuan gjatë dëgjimit të tretë publik me qytetarë, rreth planit të buxhetit 2017-2019 të mbajtur në objektin e Komunës së Fushë Kosovës.

 

Ramadan Jashanica, drejtor për financa dhe buxhet në Komunën e Fushë Kosovës, tha se përpjekjet e tyre për plotësimin e kërkesave të qytetarëve janë prioritet dhe do vazhdojnë në përmbushjen e nevojave të tyre duke përfshi këtu edhe rastet për ndërtimin e shtëpive sociale.

“Janë gjithsej 74 projekte të cilat pritet që të realizohen brenda kësaj periudhe kohore, e që janë projekte dhe investime të cilat u interesojnë edhe qytetarëve për ta ditur se nga po shkojnë investimet. Këto janë projekte të cilat janë bazuar në kërkesat e qytetarëve të Komunës së Fushë-Kosovës dhe si prioritet kryesor kemi asfaltimin dhe ndriçimin në fshatra dhe qytet”, ka thënë Jashanica.

Ndërsa sa i përket kërkesës për fusha të sportit, e sidomos nga ana e komuniteteve, shefi i Planifikimit të Buxhetit, Bardhyl Koiçiçi tha se është paraparë që gjithçka të zgjidhet në vitin e ardhshëm.

“Problemi kryesor në këtë pikë qëndron tek shpronësimi i tokave. Por e kemi paraparë që në vitin e ardhshëm të kemi dhe të investojmë edhe më shumë në fusha të sportit”, përfundoi Koiçiçi.

Përfaqësuesi nga komuniteti rom dhe ashkali, Artan Asllani, tha se Komuna e Fushë Kosovës në krahasim me komunat e tjera u ka dhënë më së shumti prioritet komuniteteve duke mos e bërë ndarjen e nevojave të qytetarëve.

“Mund të them se Komuna e Fushë Kosovës më së shumti ka ofruar mundësi për ne si komunitet, por nevojat çdo herë vinë e shtohen andaj edhe ne kemi nevojë çdo herë e më shumë për përkrahje financiare”, u shpreh Asllani.