Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Ministri i Kulturës, Kujtim Shala, vizitoi Kalanë e Harilaçit

2015/12/09 - 8:57

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, bashkë me zëvendësministrin Rexhep Hoti dhe i shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, vizitoi Kalanë e Harilaçit, ku u njoftua përsëafërmi me gërmimet arkeologjike që po bëhen në këtë lokalitet, me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Pasi i uroi mirëseardhje Ministrit Shala, Kryetari Berisha tha se ishte mirënjohës për vizitën e Ministrit të Kulturës dhe se synimi ynë është që këtë Kala ta shndërrojmë në një atraksion turistik që të jetë i hapur edhe për vizitorë. Ministri Shala e përgëzoi Kryetarin e Komunës, z. Burim Berisha, për mbështetjen e deritashme që ka dhënë për Kalanë e Harilaçit dhe nga ana e tij ai i përgëzoi edhe arkeologët për punën që kanë bërë gjatë këtij viti në këtë lokalitet, njëkohësisht u shpreh se MKRS-ja është e përkushtuar që të ndihmojë dhe të mbështes trashëgiminë kulturore të Kosovës, si në gjurmime, po ashtu në konservim, restaurim, promovimin dhe njohjen sa më të gjerë të saj.
Ministri Shala, po ashtu u shpreh se këto gjurmime dhe gjetjet e shumta që po bëhen, anë e kënd Kosovës, janë dëshmi e fuqishme se Kosova ka një trashëgimi të pasur që lidhet me kohëra të ndryshme, që nga periudha e hershme dardane, dhe si të tilla përbëjnë vlerë të posaçme për kulturën e Kosovës.
Ministri Shala theksoi se këto pasuri të jashtëzakonshme kulturore, të periudhave të hershme dhe atyre të mëvonshme, janë në interes të Kosovës, prandaj nga ne kërkohet t’i ruajmë dhe promovojmë.

Për rëndësinë e Kalasë së Harilaçit foli Prof. Dr. Arben Hajdari – Arkeolog  i cili vlerësoi lart këtë Kala duke thënë se materialet e pasura arkeologjike që janë zbuluar në këtë lokalitet, si: thika stralli, qeramikë, vegla pune, stoli, monedha, etj., por edhe objektet sakrale dhe profane, janë dëshmi se kemi të bëjmë me një vendbanim të hershëm e me rëndësi për kohën.

Kalaja e Harilaçit, ka domethënie për identitetin kulturor e shpirtëror të Kosovës, u shpreh Shala dhe shtoi se ai dhe MKRS-ja, në synime të tij politike ka prioritet mbrojtjen dhe afirmimin e trashëgimisë së pasur kulturore, njëherësh duke çmuar, ruajtur dhe vlerësuar diversitetin e saj, si vlerë shtesë të Kosovës.

MKRS-ja gjatë këtij viti ka ndihmuar me 40 mijë euro për Kalanë e Harilaçit dhe po aq janë të parapara për vitin e ardhshëm.