Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomike Amerikane dhe Odës Ekonomike Gjermane, vizitoi sot komunën e Fushë-Kosovës, ku takoi Kryetarin e Komunës z. Burim Berisha me bashkëpunëtorë

2016/01/27 - 10:34

Në takim me Kryetarin e Komunës, z.Burim Berisha, Presidentja Jahjaga shoqërohej nga Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka dhe Kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi.
Kryetari Berisha paraqiti para Presidentes dhe drejtuesve të odave ekonomike përpjekjet që bën pushteti lokal në Fushë-Kosovë për të bashkëpunuar dhe për të krijuar kushte për bizneset vendore dhe të huaja dhe problemet e sfidat që duhet tejkaluar në këtë fushë, për të krijuar kushte edhe më të favorshme për bizneset, sidomos krijimin e kushteve për investitorët e huaj.
Kryetari Berisha potencoi edhe disa nga specifikat e komunës si dhe ofroi ide për projekte konkrete, për të cilat tha se kërkohet përkrahja edhe e institucioneve në nivel qendror.

Presidentja Jahjaga tha se iniciativa të cilën e ka filluar për të vizituar komunat e Kosovës është: ‘që të njoftohem nga afër me të gjitha problemet dhe vështirësitë, të cilat po i dëgjoj edhe këtu, e që janë  shqetësime që ndërlidhen me statusin e pronave në nivelet komunale, pastaj me burokracitë e tepërta të cilat po përcillen në nivelet komunale dhe qendrore, çështja e taksave në nivelet komunale, po ashtu edhe të niveleve qendrore dhe një komunikim i domosdoshëm dhe i mirëfilltë dhe më i mirë në mes nivelit lokal dhe nivelit qendror’.

Edhe përfaqësuesit e Odave ekonomike, gjatë diskutimeve të tyre, shtruan problemet me të cilat përballen bizneset në përgjithësi, me theks të veçantë bizneset që përfaqësojnë këto oda.

Pjesë e bisedës ishin edhe sfidat rreth zhvillimit ekonomik, përkrahja për bizneset dhe krijimi i lehtësirave për to, me theks të veçantë tërheqja e investimeve të huaja.

Në fund të takimit Kryetari Berisha nderoi Presidenten Jahjaga me një pikturë të punuar nga piktorët pjesëmarrës në “Kolonia e Arteve” që mbahet për çdo vit në Komunën e Fushë-Kosovës, e ku marrin pjesë krijuesë nga brenda dhe jashtë vendit.