Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

U shënua 12 Qershori ‘Dita e Çlirimit të Fushë Kosovës’

2018/06/13 - 2:39

Me aktivitete të shumta Fushë-Kosova shënoi ditën e çlirimit, si një ndër ditët më të veçanta për të gjithë qytetarët e saj. Nëntëmbëdhjetë vjet më parë, kur Fushë-Kosovën e kishin mbuluar tymi e flaka, rrënimet e njollat e gjakut, ishte Aleanca e NATO-së ajo që ndërpreu gjithë atë shfrenim të okupatorit.

Dita  e çlirimit të Fushë-Kosovës filloi me homazhe në varrezat e qytetit, ku Kryetari i Komunës me bashkëpunëtorë dhe me Shoqatat e Veteranëve të Luftës bënë homazhe dhe nderuan të rënët për liri. Më pas vijoi mbledhja solemne e Kuvendit të Komunës dhe ceremonia e ndarjes së titullit ‘Qytetarë Nderi’ i Fushë-Kosovës për vitin 2018. Këtë vit, në bazë të vendimit të Kuvendit të Komunës, ky çmim i takoi z.Hajrullah Ternava, veprimtar dhe aktivist i komunës sonë që nga periudha e pasluftës. Ndërsa titulli “Postmortem Qytetarë Nderi” për vitin 2018, me vendim të Kuvendit të Komunës, u nda për ish/ Nënkryetarin e Komunës së Fushë-Kosovës z. Sabit Hykolli, i cili u nda nga jeta para pesë vitesh. Me mirënjohje u nderua edhe veprimtari i dalluar, z.Rexhep Gunduz nga Bursa e Turqisë, i cili ka dhënë një kontribut të pamohueshëm në strehimin e shqiptarëve të deportuar nga Kosova në kohën e luftës, si dhe forcimin e lidhjes së shqiptarëve që jetojnë në Turqi me vendin e origjinës së tyre.

Një program i zgjedhur dhe i organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ishte pjesë e këtyre aktiviteteve, ku Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Zëri i Kosovës” me pika të zgjedhura nga tri grupmoshat dhe me këngë të ekzekutuara nga rapsodët e këtij Ansambli përmbylli  këtë ditë solemne.