Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

U shënua “12 Qershori Dita e Çlirimit të Komunës së Fushë-Kosovës”

2014/06/13 - 9:26

Aktivitete të shumta e karakterizuan shënimin e ‘12 Qershorit’,  ditën e çlirimit të Komunës së Fushë-Kosovës.

Fillimisht është mbajtur mbledhja solemne e Kuvendit të Komunës ku ishin të pranishëm edhe një numër i madh i qytetarëve të komunës së Fushë-Kosovës. Duke shpallur të hapur këtë mbledhje kryesuesi i Kuvendit, z. Fadil Krasniqi, tha se komuna sot ka një arsye edhe më të madhe për të festuar, sepse në këtë përvjetor komuna e Fushë-Kosovës është edhe më e zhvilluar dhe më prosperuese. Nënkryetari i Komunës, Jakup Tërnava, iu drejtua të pranishmëve në sallë dhe iu tha se ‘çlirimi ju përket të gjithë juve që besuat në vendin tuaj, ju që qëndruat pranë tij në çdo moment dhe dhatë atë që kishit mundësi për të dhënë’.

Në këtë mbledhje solemne u nda edhe çmimi “Qytetarë Nderi për Vitin 2014” që këtë herë i takoi veteranes së arsimit, mësueses Sadie Imeri.

Kryetari i Komunës, Burim Berisha, pasi vlerësoi lartë punën e të gjithë mësueseve, uroi zonjën Sadie Imeri për kontributin e dhënë në arsimimin dhe edukimin e shumë gjeneratave.

Pas dite rruga “Nëna Terezë” ishte e mbyllur për automjetet sepse festa vazhdoi me defileun e disa ansambleve dhe sportistëve të komunës së Fushë-Kosovës, Gjilanit, Drenasit, dhe Obiliqit të cilat pas defileut shfaqën një program të zgjedhur me këngë dhe valle që u mirëpritën nga një numër shumë i madh i qytetarëve të Fushë-Kosovës.