Komuna e Kaçanikut përfiton grantin stimulues të USAID-it
2010/05/06 - 12:00
Komuna jonë është shpërblyer me 20 mijë dollarë amerikan si rezultat i përmbushjes së kriterit për menaxhim inovativ
Në konferencën e organizuar dje nga IKE (Iniciativa për Komuna Efektive) USAID në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, është bërë Ndarja solemne e Shpërblimeve për Performancë Komunale.
Komuna e Kaçanikut është njëra ndër 14 komunat e Kosovës e cila është shpërblyer nga fondi stimulues për performancë komunale. Komuna e Kaçanikut është njëra nga dy komunat e vetme e cila në fushën e ambientit ka përfituar nga ky fond 20 mijë dollar amerikan. Komuna jonë ka aplikuar për themelimin e Zyrës së vullnetarëve për mbrojtjen e ambientit, duke përmbushur kështu kriterin për menaxhim inovativ të këtij fondacioni amerikan.
Për themelimin e kësaj zyre, Komuna do të participojë me 13.333 dollarë.
Ky ishte raundi i katërt i shpërblimeve ndërkaq komuna e Kaçanikut ishte shpërblyer edhe në raundin e parë, vitin e kaluar me 45 mijë dollarë amerikanë për performancën e treguar në arkëtimin e të hyrave nga tatimi në pronë.