2023/07/14 - 3:47
Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi dhe Jeta Xharra, drejtore ekzekutive në Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN Kosova), nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për Projektin “Auditimi Social”, për projektin e zjarrfikëseve . Në këtë takim u mirëprit ekipi i këtij projekti, si dhe përfaqësuesi nga DEMOS-i Drilon Shala dhe përfaqësues nga shoqëria civile në Kaçanik, të cilët po e mbështesin realizimin e projektit “Auditimi Social” si bashkëfinancim nga Bashkimi Evropian, Zvicra, Suedia dhe Norvegjia, e i zbatuar nga Helvetas Swiss Intercooperation-Kosova.
Qëllimi i kësaj marrëveshje është rritja e angazhimit të qytetarëve dhe të transparencës si dhe llogaridhënies në nivel lokal në implementimin e projekteve infrastrukturore dhe mbikëqyrjes qytetare. Kryetari Ilazi u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar në këtë projekt, që sipas tij ka për qëllim promovimin e transparencës dhe llogaridhënies si dhe aktivizimin e qytetarëve në marrjen e vendimeve të përbashkëta.
Veç tjerash ky takim ishte një mundësi e mirë e bashkëbisedimit në mes të ekipës së BIRN- Kosova, përfaqësuesve të komunës dhe shoqërisë civile në Kaçanik, për të diskutuar së bashku sfidat dhe problemet me të cilat përballen qytetarët e komunës sonë.