Ka përfunduar afati i parë (qershorit) për regjistrimin e nxënësve në klasat e dhjeta, për vitin shkollor 2023-2024 në dy institucionet arsimore, në Gjimnazin “Skënderbeu” dhe Institucionin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional (IAAP) “Feriz Guri dhe vëllezërit Çaka” në Kaçanik, ndërkaq për afatin e dytë, të gushtit mbesin edhe 97 vende të lira në Gjimnaz dhe 227 vende në shkollën profesionale
Në afatin e parë, të qershorit, në Gjimnazin “Skënderbeu” në klasat e dhjeta janë regjistruar gjithsej 127 nxënës, nga gjithsej 224 sa ishin planifikuar të regjistroheshin në dy drejtimet, Shkenca Natyrore dhe Shkenca Shoqërorë, me 7 paralele, ndërsa për për afatin e dytë, të gushtit kanë mbetur edhe gjithsej 97 vende të lira.
Ndërkaq, në IAAP “Feriz Guri dhe vëllezërit Çaka” këtë vit shkollor në klasat e dhjeta janë regjistruar gjithsej 61 nxënës nga 288 sa janë të planifikuar të regjistrohen, në katër drejtimet, si Elektronikë, Ekonomi, Makineri dhe Juridik, me nëntë profilet dhe me gjithsej 10 paralele.
Në shkollën profesionale për afatin e dytë, atë të gushtit, në klasat e dhjeta, mbeten edhe 227 vende të lira.