Republika e Kosoves

Kaçanik

Ekzekutivi i Komunës mbajti takimin e rregullt

2012/06/18 - 12:00

Ekzekutivi i Komunës së Kaçanikut në mbledhjet e rregullt të fillimjavës të cilën e ka udhëhequr kryetari në detyre z. Heset Loku ka diskutuar planin javor të punës për këtë javë

Kryetari në detyrë, z. Heset Loku, ka komentuar zgjedhjet e mbajtura për kryetar të Komunës të cilat janë mbajtur dje. Ai u shpreh se Kaçaniku me sukses e kaloi edhe një test të rëndësishëm të demokracisë. “Zgjedhjet e 17 qershorit pasqyruan imazh të mirë, tolerancë demokratike e pjekuri politike” ka thënë z. Loku. Ai ka falënderuar qytetarët të cilët i kontribuuan këtij procesi të rregullt e korrekt ndërkaq ka lavdëruar policinë e Kosovës për punë të përkushtuar.
Drejtorët e drejtorive, kanë raportuar disa nga aktivitetet e planifikuara. Rushan Ceka, drejtor i Drejtorisë së Emergjencës dhe Shërbimeve Publike ka thënë se në afërsi të shkollës fillore “Emin Duraku” është shkaktuar një defekt në rrjetin e kanalizimit. Është vlerësuar se duhet intervenuar me urgjencë pasi aty ka frekuentim të madh të nxënësve e qytetarëve.
Azem Guri, drejtor i Drejtorisë së Arsimit e Kulturës ka thënë se të premten përfundon viti mësimor për shkollat fillore ndërkaq të shtunën mbahet testi i maturës, pjesa e dytë.
Bekim Troni, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, Kadastrit e Mbrojtjes së Mjedisit ka thënë se në proces të punës janë projektet në rrugën “Ramadan Agushi” e “Agim Bajrami” ndërsa ndërtimi i përroskës në rrugën “Lidhja e Prizrenit “ është para përfundimit të punëve finale. Po ashtu edhe projekti për ndërtimin e rrugës në fshatin Kovaçec, është në fazën finale dhe së shpejti pritet të bëhet shtrirja e shtresës së asfaltit. Drejtori Troni ka shpreh shqetësimin e zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit MKRS) për mundësin e dëmtimit të një monumenti kulturor historik në afërsi të Gurit Shpum nga eksploatimi i gurit.  Zyrtarë komunal dhe ata të MKRS-së kanë intervenuar dhe si rezultat është ndërprerë eksploatimi i gurit në afërsi të kalasë së vjetër.
Fikri vërbani, drejtor i Drejtorisë së Ekonomisë, Financave dhe Zhvillimit ka thënë se janë duke u zhvilluar aktivitetet për zhvillimet buxhetore 2013 – 2015 dhe tani pas nxjerrjes së Qarkores Buxhetore 01/ 2013 janë duke u hartuar Qarkorja Buxhetore 02/2013 lidhur me përcaktimin e kufijve dhe ndarjet buxhetore sipas programeve dhe nënprogrameve buxhetore dhe më pas do të përgatitet Drafti i Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) 2013 – 2015. Drejtori Vërbani ka thënë se në bashkëpunim me LOGOS-in jemi duke bërë përgatitjet për organizimin e një debati publik me qytetarët për KASH-in. Z Vërbani, po ashtu ka thënë se javën e kaluar ka rritur Raporti nga Zyra e Auditimit Gjeneral. Ai ka thënë se deri më sot ka qenë afati kur ne kemi mundë të bëjmë ndonjë koment apo vërejte lidhur me Raportin.