Komuna e Kaçanikut e përfaqësuar nga Kryetari Besim Ilazi dhe Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale e përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv Bislim Zogaj, kanë nënshkruar marrëveshje Mirëkuptimi për Bashkëfinancim, për realizimin e projektit “ Rregullimi i Varrezave të Dëshmorëve dhe Veteranëve të UÇK-së” në Komunën e Kaçanikut.
Kryetari Ilazi falenderoi drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale për këtë marrëveshje, duke shtuar se nevoja për të investuar në këtë kompleks të varrezave është shumë e madhe, marrë parasysh edhe hapësirën dhe rëndësinë historike e kombëtare që ka ky kompleks. Nga ana tjetër drejtori Zogaj falenderoi Komunën e Kaçanikut për bashkëpunim korrekt, duke shtuar nevojën edhe për bashkëpunime të tjera të kësaj natyre, që kanë për qëllim ruajtjen e monumenteve dhe komplekseve memoriale.
Palët nënshkruese u zotuan për respektim të marrëveshjes me qëllim të realizimit sa më të mirë të projektit në fjalë.