Mbahet Debat për personat me aftësi të kufizuara
2010/04/14 - 12:00
Në kuadër të projektit ”Një ambient i përshtatshëm –Shoqëri për të gjithë”, sot në Shtëpinë e Kulturës “Xheladin Kurtaj”, u mbajt një debat për promovimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara
Organizuar nga Handikos, në kuadër të projektit ”Një ambient i përshtatshëm –Shoqëri për të gjithë”, sot në Shtëpinë e Kulturës “Xheladin Kurtaj”, u mbajt një debat për promovimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara dhe përfshirjen e tyre në aktivitete të ndryshme me qëllim të vetëdijesimit të shoqërisë mbi infrastrukturën e pa përshtatshme dhe krijimi i kushteve për këtë kategori të shoqërisë.
Behxhet Binaku përfaqësues i Handikos-it, dega në Prishtinë tha se kjo organizatë angazhohet për të drejtat e qytetarëve me aftësi të kufizuara përmes projekteve dhe aktiviteteve të ndryshme. Aktivitetet janë të orientuara me qëllim të sensibilizimit të të drejtave të qytetarëve me aftësi të kufizuara në Kosovë, ndërkaq përmes fushatave lobuese dhe avokuese, Handikos-i mundohet që të ndikoj tek qytetarët e Kosovës e sidomos tek qeveritë lokale e qendrore që të krijojnë kushte për lëvizje të lirë të personave me aftësi të kufizuar.
Tafë Faziu, punëtor tereni i shoqatës Handikos, tha se nga vizitat e bëra në objektet e institucioneve në Kaçanik, atyre iu mungojnë pjerrinat, nyjat sanitare etj.
Bekim Troni, drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm, Kadastër dhe Mbrojtje të Mjedisit tha se do të kërkoj që gjatë rishikimit 6 mujor të buxhetit, të ndahet një fond për rregullimin e pjerrinave në institucionet publike.
Projekti “Një ambient i përshtatshëm –Shoqëri për të gjithë”është financuar nga Komisioni Evropian ndërsa implementohet nga shoqata Handikos.