Republika e Kosoves

Kaçanik

Mbahet Debat Publik me temën “Puna e Kryetarit Ilazi të arriturat dhe sfidat për periudhën gjashtë mujore, si dhe Korniza afatmesme e shpenzimeve 2019-2021”

2018/06/18 - 3:58

 

Bazuar në ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Statutin e Komunës, Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi në bashkëpunim me Drejtorinë e Ekonomisë, Financave dhe Zhvillimit, me qëllim të informimit dhe pjesëmarrjes së gjerë dhe aktive të publikut dhe në pajtim me legjislacionin në fuqi, organizoi Debat Publik me temën : “ Puna e Kryetarit Ilazi të arriturat dhe sfidat për periudhën gjashtë mujore, si dhe Korniza afatmesme e shpenzimeve 2019-2021”.
Kryetari i Komunës Besim ilazi, raportoi para qytetarëve, administratorëve të fshatrave dhe pjesëmarrësve të tjerë në debat, lidhur me punën dhe angazhimin e tij gjatë periudhës Janar- qershor, të arriturat dhe sfidat komunale. “ Po takohemi sërish sot, për të debatuar së bashku përmes këtij dëgjimi publik që është si një obligim dhe detyrim ndaj qytetarëve, për të prezantuar të arriturat, sfidat dhe punët që janë realizuar në periudhën gjashtë mujore, si dhe për të prezantuar draft dokumentin e Kornizës Afatmesme Buxhetore. Gjashtë mujori i parë është përcjellur me shumë punë e aktivitete komunale. Periudhën gjashtë mujore e kanë karakterizuar shumë punë në planifikimin dhe fillimin e projekteve kapitale, si në infrastrukturë rrugore, ujësjellës e kanalizim si dhe në infrastrukturën shëndetësore e arsimore, kurse investimet në bujqësi ishin pjesë e punës sonë. Ndërsa vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe kategorisë së rasteve sociale, duke ndihmuar në ndihma momentale e forma të tjera. Nuk kanë munguar as aktivitetet përkujtimore, aktivitetet kulturore artistike si dhe aktivitetet sportive. Ndërsa bashkëpunimi me ministritë dhe donatorë të ndryshëm ishte prioritet në punën tonë”, tha Kryetari Ilazi. Ndërsa Draft dokumentin e Kornizës Afatmesme e prezantoi Drejtori Për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim Bahri Selimi, , i cili tha se buxheti për vitin 2019 është 8 milion 381 mijë 643 euro, ndërsa për investime kapitale janë ndarë 1 milion e 900 mijë euro. Të pranishmit në debat, kryesisht u fokusuan tek pjesa e investimeve kapitale, duke kërkuar investime në lagjet apo fshatrat që ata përfaqësojnë. Ata kërkuan më shumë investime në infrastrukturën shkollore, rrugë, ujësjellës e kanalizim, trotuare e ndriçim publik, ndërsa u kërkua edhe mirëmbajtja e hapësirave të gjelbëruara si dhe mirëmbajtja e rrugëve.