Mbahet mbledhja e tretë e Kuvendit të Komunës për vitin 2010
2010/03/30 - 12:00
Kuvendi miratoi Raportin Vjetor Financiar përfunduar më 31.12.2009
Në sallën e mbledhjeve të kuvendit, në objektin e administratës komunale, sot është mbajt mbledhja e tretë për vitin 2010 e Kuvendit të Komunës, të cilën e ka udhëheq z. Xhelal Gashi, kryesues i kuvendit.
Në takimin e sotëm Kuvendi shqyrtoi Raportin e Punës së Ekzekutivit të komunës për vitin 2009. Lidhur me Raportin e Punës, fillimisht kryetari i komunës, z. Xhabir Zharku tha se natyrisht ky Raport mundë të ketë mangësi por ne jemi munduar të bëjmë një punë sa më të mirë në interes të gjithë qytetarëve tanë. Me këtë rast, gjatë shqyrtimit të këtij Raporti, ne mirëpresim edhe vërejtjet dhe sugjerimet, të cilat do të na nxisin për punë edhe më efikase. Në vazhdim anëtarët e kuvendit shqyrtuan Raportin Financiar përfunduar më 31.12.2009. Fikri Vërbani, drejtor për ekonomi e financa tha se Raporti Vjetor Financiar është hartua në bazë të pasqyrave standarde të Udhëzimeve Administrative të Thesarit dhe standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit për Financat Publike.
Gjatë vitit 2009, buxheti fillestar i miratuar në Kuvend në shumë prej 3,640,339 € deri në fund të vitit ka pësua ndryshime të rritjes për 19 % ose 691,972 €, duke arritur në shumën përfundimtare prej 4,332,311 €, ndërsa buxheti aktual i realizuar është në shumën prej 4,062,894 €. Drejtori, z. Vërbani tha se prej vitit në vit kemi rënie të shpenzimeve për Mallra dhe Shërbime dhe komunali ndërsa favorizohen investimet kapitale. Drejtori tha se në vitin 2008 për Mallra dhe Shërbime janë shpenzuar 477,087 euro ndërsa në vitin 2009 kemi rënie të dukshme, në vlerë prej 370,027 euro.
Raporti u miratua me shumicën e votave të anëtarëve të kuvendit.
Kuvendi në takimin e sotëm ka mbështet Propozim-Vendimin për vendosjen e bustit të heroi kombëtar Idriz Seferi në lokacionin përball Postës së vjetër në rrugën “Agim Bajrami”, ndërkaq vendosja e bustit do të bëhet me rastin e shënimit të 100 vjetorit të Betejës në Grykën e Kaçanikut.