Përfaqësues të institucioneve komunale, familjarë, miq, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta dhe qytetarë të tjerë , filluan ditën përkujtimore të dëshmorëve Feriz Guri- Komandant “Shpata” dhe Xhevdet Guri, me homazhe në vendin e rënies tek Pllaka Përkujtimore në fshatin Gorancë, për të vazhduar më pas me homazhe tek Kompleksi Memorial te Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik. Kryetari i komunës Besim Ilazi, tha se edhe sot si në shumë ditë të tjera përkujtimore të lavdisë sonë, na bashkon një qëllim, një ideal dhe një kujtim i përbashkët, duke përkujtuar dy dëshmorët, të cilët i dhanë jetë dhe frymë lirisë së atdheut. Kryetari Ilazi tha se ndonëse vitet kalojnë, kujtimet mbesin të freskëta për tribunët e atdheut. Në nderim të dy dëshmorëve, u vendosën lule në vendin e rënies si dhe tek varrezat e dëshmorëve.