Republika e Kosoves

Kaçanik

Në Kaçanik shënohet Dita Botërore e të moshuarve

2024/10/01 - 10:50

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës Besim Ilazi, Komuna e Kaçanikut/Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport në bashkëpunim me Organizatën Komunale të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Kaçanik janë organizuar aktivitete për shënimin e Ditës Botërore të të moshuarve.
Me këtë rast u organizuan aktivitete të ndryshme rekreative, muzikë dhe valle si dhe ushqime tradicionale. Pensionistët i përshëndeti dhe i dëshiroi shëndet Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, i cili njëkohësisht falenderoi DKRS- në dhe drejtoreshën Hafize Sallahu për organizimin e këtij aktiviteti tashmë tradicional në komunën tonë.
Për aktivitetin e organizuar në emër të pensionistëve falenderoi Kryetari i kësaj organizate Faik Hoxha, ndërsa në emër të kësaj shoqate nga niveli qendror përshëndeti sekretari i kësaj organizate Sherif Kastrati. Të pranishmëve me një fjalim iu drejtua edhe Kryetari i Bashkësisë Islame në Kaçanik Fidaim Fazliu. Para të pranishmëve u shfaq edhe një program kulturo artistik nga Qendra Kulturore “Kaçaniku”.
Ky aktivitet kishte për qëllim sensibilizimin e shoqërisë për respektin dhe ndihmën që duhet të kemi ndaj të moshuarve.