Republika e Kosoves

Kaçanik

Në lagjen “Ramadan Agushi” rrëshqet toka

2010/03/12 - 12:00

Rushan Ceka, drejtor i Drejtorisë për Emergjencë dhe Shërbimeve Publike, ka njoftuar se kohëve të fundit, si pasojë e reshjeve dhe derdhjes së ujit në mënyrë të pakontrolluar nga banorët, në lagjen “Ramadan Agushi” , është krijuar situatë emergjente nga rrëshqitjet e dheut dhe çarja e tokës. Situata e krijuar ka rrezikuar drejtpërdrejt 12 shtëpi banimi me 57 anëtarë, pastaj dy lokale afariste, dy stalla si dhe është bllokuar një segment i rrugës “Agim Bajrami” që lidh një pjesë të lagjes “Ramadan Agushi” me qytetin.
Për sanimin e kësaj gjendje, drejtori z. Ceka iu është drejtuar me një kërkesë Qeverisë së Kosovës pasi që komuna nuk posedon fonde rezervë për raste emergjente.
Sipas kërkesës së parashtruar qeverisë, fillimisht kërkohet që të bëhen analizat gjeomekanike të tokës e pastaj të merren masa adekuate për stabilizimin e lokacionit.