2010/03/04 - 12:00
Nënkryetari i komunës, z. Heset Loku dhe drejtori i Institutit për Politika Sociale në MPMS, z. Gafurr Podvorica, sot kanë nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi për formimin e Komiteteve Lokale të Veprimit për eliminimin e punës së fëmijëve.
Për qëllimin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit dhe funksionin dhe rëndësinë e Komitetit Lokal të Veprimit, njoftoi znj. Nurije Kelmendi, udhëheqëse e GTP ( Grupit Teknik të Punës) për monitorimin e punës së fëmijëve. Deri më tani këto Komitete janë themeluar në gjithsej 6 komuna të Kosovës ndërsa synohet që brenda këtij viti të themelohen edhe në 30 komuna tjera ka thënë znj. Kelmendi. Marrëveshja ka për qëllim zyrtarizmin e procesit të monitorimit të punës së fëmijëve si dhe parandalimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve nga eksploatimi ekonomik dhe nga kryerja e punëve që pengojnë edukimin e tyre ose qe janë te dëmshme për shëndetin dhe zhvillimin psiko-fizik, mendor, shpirtëror, moral dhe shoqëror të fëmijës.
Sipas Marrëveshjes, Komiteti Lokal i Veprimit do të përbëhet nga 20 anëtarë, zyrtar të përzgjedhur që përfaqësojnë institucione të niveleve lokale si drejtor të drejtorive komunale, Qendrës për Punë Sociale, Policisë, OJQ për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve etj.