Përkujtohen dëshmorët dhe martirët e rënë në Lagjen e Re dhe Rakoc
2010/04/09 - 12:00
Në Betejën e 9 prillit të vitit 1999 në Lagjen e Re dhe Rakoc ranë heroikisht 28 dëshmorë dhe u flijuan 32 martirë
Nën përkujdesen e kryetarit të komunës, z. Xhabir Zharku dhe organizuar nga Këshilli Organizues, me rastin e 9 prillit – 11 vjetorit të rënies së dëshmorëve dhe martirëve, sot në Lagjen e Re dhe Rakoc u mbajtën manifestime përkujtimor në shenjë nderimi dhe përkujtimi për rënien heroike të 28 dëshmorëve dhe 32 martirëve të luftës.
Në vendin e rënies së 9 dëshmorëve dhe 8 martirëve, pranë pllakës përkujtimore në Lagjen e Re, fjalë rasti ka mbajt bashkëluftëtari z. Zekirja Loku. Z. Loku në mes tjerash tha se në këtë vend, 11 vite më parë u derdh gjaku më i freskët i dëshmorëve të kombit në përpjekjet qind vjeçare të popullit shqiptar jashtë trojeve etnike për çlirim, gjaku i djemve më të mirë që me të drejtë u quajtën dëshmorët e brezit të artë .Vetëm nga ky gjak dhe lufta e lavdishme e UÇK-së e lindur nga gjiri i popullit arriti liria,u krijua shteti dhe sot më krenar se kurdoherë lirshëm takohemi edhe në këto momente si sot.
Fjalë përshëndetëse në emër të strukturave komunale dhe në emër të kryetarit të komunës, z. Xhabir Zharku prezantoi z. Nuhi Provoliu, drejtor ne Drejtorinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.z. Provoliu me këtë rast tha se të kujtosh momentet historike dhe më sublime të popullit tonë do të thotë të ndjehesh para të gjitha sfidave, vuajtjeve, tmerrit, dhimbjeve e deri në sakrificën më sublime, por njëherësh edhe krenarinë, vullnetin e paepur për këmbëngulësinë dhe forcën e pakrahasueshme për sendërtimin e idealit të cilin e ëndërronin në çdo çast të jetës breza të tërë, tha mes tjerash z. Provoliu. Në emër të familjeve të dëshmorëve ka përshëndet dhe falënderuar të pranishmit Kosovare Thaqi, vajza e dëshmorit Mynyr Thaqi.
Pranë lapidarit të të rënëve u vendosën kurora lulesh ndërsa kanë performuar edhe aktori Avdi Gërvalla i cili u prezantua me disa vargje me përmbajtje patriotike si dhe këngëtari Milaim Mezini me një këngë kushtuar dëshmorëve.
Më pastaj është vazhduar me Manifestimin përkujtimor në Rakoc, pranë pllakës përkujtimorë të 19 dëshmorëve dhe 24 martirëve të rënë për lirinë e vendit.
Në emër të këshillit organizativ të këtij manifestimi, fjalën e rastit e paraqiti Burim Bajra, pjesëmarrës i betejës së Rakocit, i cili tha se të rreshtuar në radhët e Brigadës 162 "Agim Bajrami", bijtë e bijat e Kaçanikut zhvilluan betejat më të përgjakshme të Rakocit dhe Lagjes së Re. Ai shtoi se ata nuk u flijuan nga dashuria për vdekjen, por se lirisë i duhej gjaku i tyre, se shkolla e tyre ishte atdhedashuria, grada e ushtarit të lirisë ishte detyrimi ndaj atdheut. "Sot, në përvjetorin e njëmbëdhjetë të këtyre betejave, është e pamundur t’u shmangemi emocioneve dhe dhembjeve, sepse ju familjet e respektuara keni humbur anëtarët e familjeve, kurse ne shokët e bashkëluftëtarët", tha Bajra,duke shtuar se në saje të këtij gjaku, luftës së UÇK-së dhe ndihmës së aleatëve tanë, ne sot jemi të lirë.
Në emër të institucioneve komunale fjalë përshëndetëse ka prezantua kryetari I Kuvendit të Komunës, z. Xhelal Gashi. Ai me këtë rast tha se ”Sot jemi me dhembje por edhe me krenari. Në këto tubime përkujtimore ne jemi edhe me një qëllim tjetër shumë fisnik, sepse ne marrim frymëzime të reja dhe motiv shtesë për angazhimet tona ndaj atdheut“ tha z.Gashi. Në emër të familjeve të dëshmorëve të pranishmit i përshëndeti Arbnora Çaka, vajza e dëshmorit Fadil Çaka.
Pranë lapidarit të dëshmorëve dhe martirëve u vendosën kurora lulesh ndërsa para të pranishmëve u prezantua me disa vargje aktori Avdi Gërvalla sikurse edhe këngëtari Milaim Mezini me nje këngë patriotike ndërkaq SHKA “Shqiponja” u prezantua me një valle.
Në orët e pasdites u bënë homazhe varrezave të dëshmorëve dhe u vendosën buqeta lulesh.