Prezantohen të dhënat për dëshmorët martirët dhe të zhdukurit
2010/04/12 - 12:00
Kryetari i komunës, z. Zharku apeloi që të denoncohen kriminelët për krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë
Në sallën e Kuvendit të Komunës, sot Fondi për të Drejtën Humanitare – Kosovë në bashkëpunim me komunën e Kaçanik, kanë organizuar një takim me familjarët e të rënëve, të vrarëve dhe të zhdukurve nga komuna e Kaçanikut me qëllim të prezantimit të regjistrimit të dëshmorëve, e martirëve gjatë periudhës së luftës në Kosovë
.
Me këtë rast kryetari i komunës, z. Xhabir Zharku duke përshëndetur të pranishmit tha se sot ia ka vlejt që të jenë prezent më shumë familjarë të dëshmorëve e martirëve të luftës, ndërkaq kërkoi nga familjarët që të bëjnë denoncimin e krimineleve, atyre që vranë civilët e pambrojtur. Në Kaçanik kanë ndodhur krime dhe akte barbare. Masakra e Kotlinës ishte një nga më të tmerrshmet ku njerëzit të gjallë janë hedh në pus e pastaj iu është hedh eksploziv, por për çudi askush nuk ka bë ndonjë denoncim e as që është trajtuar kjo masakër në mënyrën meritore. Ne duhet të kërkojmë llogari për civilët dhe shfrytëzoj edhe këtë rast, dhe të apeloi që të gjitha familjet, të bëjnë denoncime ndaj kriminelëve për krimet e bëra, ka thënë mes tjerash kryetari, z. Zharku.
Bekim Blakaj, koordinator i Fondit për të Drejtën Humanitare theksoi se ky Fond qe një kohë të gjatë është duke bërë hulumtime dhe mbledhur të dhëna për të gjitha viktimat e luftës. Qëllimi i mbledhjes së këtyre të dhënave është publikimi i një libri që do të quhet “Libri kosovar i kujtesës”, në të cilin do të përfshihen të gjithë dëshmorët, martirët dhe të zhdukurit në Kosovë gjatë luftës së vitit 1998 -1999. Ai tha se përpos të dhënave personale, në libër do të ketë edhe një përshkrim të shkurtër se në çfarë rrethanash është vrarë apo zhdukur ai apo ajo. Në Komunën e Kaçanikut dhe atë të Hanit të Elezit Fondi për të Drejtën Humanitare ka të evidentuar 226 shqiptarë të vrarë të rënë apo të zhdukur në periudhën kohore prej 1 janarit 1998 deri më 14 qershor 1999. Prej tyre sot ende figurojnë edhe 17 persona të zhdukur tha z. Blakaj ndërsa shtoi se kah fundi i këtij viti ne do të publikojmë pjesën e parë të librit, “Libri kosovar i kujtesës”, ku do të futen të rënët dhe vrarët gjatë vitit 1998 ,ndërsa në vitin e ardhshëm do të vazhdojmë me publikimin e pjesëve tjera të librit pra viktimat e rëna gjatë vitit 1999 përfundoi z. Blakaj.