Republika e Kosoves

Kaçanik

Qytetarët kaçanikas takojnë Deputetë të Kuvendit të Kosovës

2020/01/25 - 6:06

Deputetë të Parlamentit të Kosovës, të legjislaturës së shtatë, janë takuar me qytetarët e komunës së Kaçanikut, në debatin publik të mbajtur në sallën e mbledhjeve të KK të Kaçanikut.
Në këtë diskutim kanë marrë pjesë deputetët Valon Ramadani e Dimal Basha nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Saranda Musliu, deputete e LDK-së, që të gjithë nga rajoni i Ferizajt, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi.
Në këtë debat publik, i dyti me radhë i këtij formati, i realizuar nga Forumit i OJQ-ve të Kaçanikut bashkë me Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), temë kryesore ishte rritja e transparencës dhe llogaridhënies ndaj zgjedhësve, pjesë e projektit “Rritja e pjesëmarrjes, transparencës dhe llogaridhënies në Kosovës”, i financuar nga Fondi për Demokraci i Kombeve të Bashkuara (UNDEF).
Qytetarët e komunës së Kaçanikut kanë kërkuar nga të zgjedhurit e tyre që t’i përfaqësojnë denjësisht interesat e qytetarëve në legjislativin shtetëror, ndërsa kanë marrë premtime nga deputetët prezentë se një gjë e tillë do të ndodhë.
Pjesëmarrësit kanë kërkuar nga deputetët më shumë transparencë gjatë këtij mandati, ndërsa janë fokusuar në krijimin e politikave sociale-zhvillimore për parandalimin e migrimit masiv e të rinjve, pastaj angazhim për zgjidhjen e problemeve ambientale, zhvillimin dhe avancimin e arsimit, luftimin e dukurisë së narkotikëve, përmirësimin e ligjit për financa publike, ligjin për zgjedhjet, ndalimin e ndërtimit të mini-hidrocentraleve, dhënien fund të favorizimeve në punësim dhe praktikimin e punësimeve sipas aftësive e meritave, etj.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës të pranishëm në këtë debat, janë shprehur se do të jenë transparentë në punën e tyre dhe do të jenë zëri i qytetarëve në legjislativin e vendit. Ata u janë përgjigjur interesimit të pjesëmarrësve në debat dhe kanë këshilluar qytetarët që të jenë më insistues në kërkimin transparencës nga të zgjedhurit e tyre. Ata janë shprehur të gatshëm për komunikim të rregullt me qytetarët, për t’i adresuar shqetësimet dhe kërkesat tek institucionet e Kosovës.