Republika e Kosoves

Kaçanik

Shkolla e Mesme Profesionale “ Feriz Guri dhe Vëllezërit Çaka” kremton ditën e shkollës

2019/04/15 - 2:01

Nxënësit e Shkollës së Mesme Profesionale me ndihmën e profesorëve të tyre, prezantuan punimet e realizuara nga vet ata, në panairin për nder të ditës së shkollës. Ata me këtë rast prezantuan edhe makinën lëvizëse dhe shumë punë të tjera të realizuara për nder të ditës së shkollës.
Në manifestimin e organizuar fjalën e rastit e mbajti profesori i kësaj shkolle Enver Kamishi, i cili foli për rëndësinë e shkollës si dhe shpalosi një pjesë të historisë së SHMP.
“Sot shënojmë Ditën e Shkollës sonë, një ditë që na bënë të mendojmë dhe të kthejmë në kujtesën tonë, rëndësinë dhe respektin për shkollën tonë, dhe ndikimin e saj në shoqëri në përgjithësi. Por, si gjithmonë le të fokusohemi fillimisht tek historiku dhe zanafilla e fillimit të funksionimit të shkollës sonë, për të cilën që këtu, urojmë që vetëm të mirat dhe sukseset të jenë gjithmonë pjesë e historisë. Shkolla e Mesme Profesionale për herë të parë ka filluar punën me 1 shtator të vitit 1967, e emëruar si Shkolla për Punëtorë të Kualifikuar “Voskopoja”. Tani, shkolla jonë është shumë më tepër se një shkollë e zanateve, ngase siç e dimë është zgjeruar fusha e profesioneve të cilat vijohen këtu, si jurisprudenca, ekonomia, telekomunikacioni, etj. Pra nga këtu përveç mjeshtërve të shquar, nga kjo shkollë kanë dalë edhe jurist e ekonomistë të suksesshëm, të cilët na bëjnë krenarë çdo herë.
Për tu bërë funksionale dhe për të arritur deri këtu, sigurisht se do të ju jemi mirënjohës gjithmonë atyre që na ndihmuan në forma dhe mënyra të ndryshme.
Pas luftës së fundit janë bërë disa investime nga organizata zvicerane “Swiss Contact” dhe nga Banka Botërore, kryesisht në teknologji informative siç është furnizimi i kabineteve me kompjuter, mjete për Edukatë Fizike, si dhe në pajisje e vegla për Praktikë Profesionale. Ndihma e përkrahja nuk ka munguar edhe nga institucionet komunale dhe organizatat e tjera joqeveritare” tha profesori Kamishi. Nxënësit dhe profesorët i uroi për ditën e shkollës edhe Nënkryetari i Komunës Ylber Bajra, i cili u shpreh i impresionuar me kreativitetin dhe punën e nxënësve dhe profesorëve, ndërsa u tha të rinjëve se ju jeni jeta dhe shpresa e vendit, duke i uruar për inovacione të reja. Edhe Drejtori i SHMP Zekrija Baftiu, uroi nxënësit dhe stafin arsimor për ditën e shkollës, ndërsa nderoi me mirënjohje ata që ndihmuan në forma të ndryshme këtë shkollë: EYE- Qendra e Karrierës, Fabrika KIVO, Brick, banka KEP, Organizata “ Gjethi”, Kompania “ Vëllezërit Dema”, Kompania “ Lypeteni” dhe Enti për Punësim. Në fund nga nxënësit e kësaj shkolle u shfaq një program i bukur artistik, që lartësoi edhe veprën dhe jetën e dëshmorëve që mbanë emrin shkolla “ Feriz Guri dhe Vëllezërit Çaka”.