Republika e Kosoves

Kaçanik

Shkolla Fillore në Kaçanik të Vjetër shënon Ditën e Shkollës dhe ditëlindjen e Komandant Qamil Ilazi

2022/10/12 - 8:30

“Shkollat tempuj të dijes, e dija arma më e fuqishme e një kombi” tha Nënkryetari i Komunës së Kaçanikut Sabedin Vishi, në shënimin e Ditës së Shkollës në Kaçanik të Vjetër. Nënkryetari Vishi mes tjerash tha se Heroi Komandant Qamil Ilazi e shumë dëshmorë e të rënë për liri, kontribuuan shumë për hapjen e shkollave shqipe dhe që ne të fitojmë lirinë, e neve na mbetet që së bashku të punojmë pë krijimin e kushteve sa më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit si dhe ngritjen e cilësisë në arsim. Të pranishmëve me një fjalim përshëndetës iu drejtua edhe Drejtori për Arsim Zahir Doda, i cili tha se Dita e Shkollës është një ditë gëzimi për nxënësit, të cilët me talentin e tyre tregojnë dashurinë ndaj prindërve, ndaj shkollës, librit, mësuesit, dëshmorëve e atdheut.
Me një fjalë rasti para të pranishmëve prezantoi Drejtori i Shkollës Fillore ” Qamil Ilazi” Bislim Krasniqi, icili uroi nxënësit dhe mësimdhënësit për Ditën e Shkollës, ndërsa paraqiti një historik të shkurtër të shkollës dhe jetës si dhe veprimtarisë së Heroit Qamil Ilazi. Ai mes tjerash tha se kjo shkollë sot shënon 78 vjetorin e themelimit si dhe ditëlindjen e Komandant Bardhit. Drejtori Krasniqi tha se shkollat shqipe i kanë themelet në gjakun e lirisë, andaj sot së bashku të gjithë duhet të punojmë për ngritjen e cilësisë në arsim me planprogramet e reja shqipe. Në fund u shfaq edhe një program artistik, ndërsa u bënë edhe homazhe pranë bustit të Heroit Qamil Ilazi në oborrin e shkollës si dhe tek Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik.