Republika e Kosoves

Obiliq

U mbajt Konferenca Shkencore Ndërkombëtare mbi Luftën e Dytë të Kosovës, e cila ndodhi më 17-19 tetor 1448

2024/08/20 - 5:29

Komuna e Obiliqit në bashkëpunim me Institutin Albanologjik në Prishtinë, Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, dhe Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, kan zhvilluar Konferencën Shkencore Ndërkombëtare mbi Luftën e Dytë të Kosovës, e cila ndodhi më 17-19 tetor 1448.
I pranishëm në këtë konferenc ishte edhe Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Nënkryetari i Komunës, asambleistë, ekzekutiv, Drejtori i Institutit Albanologjik në Prishtinë, z.Lulëzim Lajçi, Drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Teuta Shala-Peli, Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skënder Asani, profesorë dhe ekspertë të njohur nga fusha e historisë, të cilët prezantuan hulumtime dhe analiza të thelluara mbi ngjarjet e kësaj lufte të rëndësishme.
Përmes kumtesave dhe diskutimeve, u shtjelluan aspekte të ndryshme të betejës, duke përfshirë faktorët strategjikë, socialë dhe politikë që ndikuan në zhvillimin e saj. Pjesëmarrësit patën mundësinë të ndajnë pikëpamjet e tyre dhe të reflektojnë mbi rëndësinë e kësaj ngjarjeje historike për Kosovën dhe rajonin më gjerë. Kjo konferencë shërbeu gjithashtu për thellimin e njohurive mbi historinë e vendit tonë.
Kumtesat e prezantuara, së bashku me të tjera që do të pranohen deri më 10 shtator 2024, do të përmblidhen në një libër të vetëm që pritet të botohet dhe nga data 17 deri më 19 tetor pritet të vendost edhe gurthemeli i Obeliskut.
Kryetari Gashi në fjalën e tij, falënderoi të gjithë të pranishmit për bashkëpunimin e tyre, duke theksuar se:”Është një nder i veçantë për Komunën e Obiliqit që po realizohet kjo konferencë, e cila do t’i paraprijë ndërtimit të Obeliskut që do të vendoset në pjesën e Llazarevës.”
Në shenjë mirënjohjeje për bashkëpunim, Kryetari Gashi ka pranuar një mirënjohje nga Instituti Albanologjik dhe, dhe në anën tjetër si shenjë respekti, ka dhuruar për tre institutet nga një kopje të “Kokës Antropomorfe të Ritualit të Besimit Ilir, Periudha Antike (Enolitik)”, e zbuluar në fshatin Dardhishtë të Obiliqit në vitin 2012.