Suharekë
2019/05/06 - 2:24
Në Shkollën e Mesme Teknike “Skënder Luarasi”, në Suharekë, sot u shënua “Dita e Shkollës”, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës z.Bali Muharremaj, deputeti i parlamentit të Kosovës z.Blerim Kuçi si dhe një delegacion nga Shqipëria, vajzat dhe dhëndrri i Shkënder Luarasit, të cilin emër e bartë edhe kjo shkollë. Kryetari Muharremaj, mbajti nje fjalë rasti duke i uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për këtë ditë të veçantë për ta dhe ndër të tjerash tha se: “do të jemi pranë shkollave çdo herë, në mënyrë që ju të keni kushte sa më të mira për mësim dhe arsim cilësor. Shkolla e mesme teknike, në Suharekë, do të bëhet një ndër shkollat më të mira në Kosove (në kuadër të cilësisë), andaj ne ndihemi krenarë për këtë realitet dhe do të vazhdojmë tutje me përkrahje”, ka shtuar kryetari Muharremaj.
Fjalë rasti ka pasur edhe akademik prof. Neritan Ceka, duke folur për jetën dhe veprën e Skënder Luarasit. Po ashtu fjala i’u është dhënë edhe vajzës së S.Luarasit znj. Lina Ceka-Luarasi-t, e cila ka folur për babain e saj dhe ka tregur një historik për jetën e tij. Nga kryetari Muharremaj, u falënderua edhe Motra Johana, e cila ishte prezente, për kontributin e saj në Komunën e Suharekës. Si dhe Daniele Passalacqua, përfaqësues i Luxdevelopment, për nënshkrimin e memorandumit për përkrahje në ngritjen e kapaciteteve të shkollës. Të pranishmit për pjesëmarrje, i ka falënderuar drejtori i kësaj shkolle z.Hamdi Bytyqi. Manifestimi në këtë shkollë vijoi me këngë, valle dhe recitale të pergatitura nga nxënësit e kësaj shkolle.