Suharekë
2010/06/18 - 12:00
Realizimi në një kohë sa më të shkurtër i projektit të madh kombëtar për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdare dhe kompensimi i plotë në përputhje me vlerën e tregut i atyre pronarëve të cilët do t’i nënshtrohen procedurave të shpronësimit, është një nga pikat më të rëndësishme. Në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga ligji, Komuna e Suharekës është thirrur përmes vendimit Nr. 4/120, datë 16.04.2010 të Qeverisë për të asistuar teknikisht Qeverinë në këtë proces.
Në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga neni 8 i ligjit Nr. 03/l-139, datë 26 mars 2009 “ Për shpronësimin e pronës së paluajtshme “, janë përmbushur të gjitha kushtet për shpalljen dhe njoftimin e vendimit Nr. 04/120, datë 16.04.2010 si dhe është lajmëruar organizimi i dëgjimeve publike lidhur me shpronësimin e kërkuar për interes publik, përkatësisht për zonat kadastrave: Tërrnje, Leshan dhe Reshtan me datë 16.06.2010.
Kështu përfaqësuesit e këtyre fshatrave kanë pasur mundësinë për të shprehur mendimet e tyre gojarisht lidhur me shpronësimin e kërkuar në përputhje me paragrafët 2 deri 4 të nenit 9 të Ligjit Nr. 03/l-139, Datë 26 mars 2009 “ Për shpronësimin e pronës së paluajtshme “.
Një takim i ngjashëm për zonat kadastrave Suharekë, Sllapuzhan , Duhël dp të mbahet me 21.06.2010 në ora 1100, në të njëjtën sallë ku është mbajtur edhe takimi i ditës së mërkurë.
Për arritjen e qëllimit të ligjshëm publik të ndërtimit të autostradës Vërmicë- Merdarë, Qeveria e Republikës së Kosovës në zbatim të ligjit Nr. 03/l-139, datë 26 mars 2009 “ Për shpronësimin e pronës së paluajtshme” ka miratuar Vendimin Nr. 4/120, datë 16.04.2010, për inicimin e procedurave të shpronësimit, në segmentet nha Prizreni deri ne Qafë të Duhles dhe nga Aeroporti i Prishtinës deri në Besi.