Republika e Kosoves

Suharekë

Komuna Suharekë

U shënua 10 vjetori i Qendrës Rehabilituese “ Handikos” në Suharekë

2010/08/13 - 12:00

Fillimisht hapjen e kësaj ceremonie e bëri koordinatori i Handikos-it z. Rexhep Kuçi, i cili bëri një historik të shkurtër të kësaj qendre, që nga themelimi e deri më tani, lidhur me mbështetjen nga donatorët me funksionimin e kësaj qendre, ku vlerësoi se falë bashkëpunimit dhe mbështetjes  nga organizatat e huaja dhe nga Komuna e Suharekës kemi arritur në një funksionalizim të efektshëm të kësaj qendre për 10 vite me radhë. Një fjalë përshëndetëse në këtë takim e mori edhe nënkryetari i Komunës z. Bali Muharremaj, i cili i përshëndeti të gjithë donatorët të cilët e kanë përkrahur këtë qendër dhe po ashtu në emër të Komunës ju premtoi se në kuadër të mundësive buxhetore që ka komuna edhe në të ardhmen do ta përkrah këtë qendër, gjegjësisht do të përkrah kategorinë e personave me aftësi të kufizuar duke filluar nga mbrojtja sociale- shëndetësore, arsimimi, punësimi i tyre shtoi mes tjerash z. Muharremaj. Po ashtu një fjalë përshëndetëse para të pranishmëve  e mori edhe ish Koloneli i KFOR-it z. Nazarek, i cili në kohën kur kishte qenë me mision të KFOR-it e ka ndihmuar shumë Handikos-in dhe tha se jam i nderuar që sot gjendem para juve dhe them me plot kuptimin e fjalës që falë angazhimit të madh të udhëheqësit të kësaj qendre z. Rexhep Kuçi kjo qendër funksionon si duhet, e në shenjë nderi dhe respekti për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme me KFOR-in z. Nazarek dhe z. Kuçi shkëmbyen dhurata me njëri tjetrin në shenjë nderi dhe respekti. Po ashtu  në emër të Qendrës rehabilituese Handikos, një mirënjohje iu dha edhe komunës për përkrahje dhe mbështetje të kësaj kategorie. Në prani të përfaqësuesve të KFOR-it, të LMT-së, të përfaqësuesve të Handikos-it- Prishtinë, të nënkryetarit të Komunës z. Bali Muharremaj, të përfaqësuesve të OSBE-së, të përfaqësuesve të OJQ-ve lokale u shënua 10 vjetori i themelimit të Qendrës rehabilituese “ Handikos”.