Republika e Kosoves

Suharekë

Komuna Suharekë

Historiku

Theranda e sotme shtrihet në pjesën verilindore të Prizrenit, përkatësisht në Rrafshin e Dukagjinit. Është qendër bukur e rëndësishme meqenëse gjendet në rrugën që të lidh Prishtinën, Prizrenin, Ferizajin dhe Rahovecin. Ajo ka qenë edhe në të kaluarën stacion i rëndësishëm në rrugën e vjetër Shkodër – Kosovë, kështu që në saje të kësaj ka pasur edhe në të kaluarën funksion të qendrës ekonomike dhe administrative të Podgudt të Prizrenit.

Nëse e vështrojmë shtrirjen territoriale të Therandës, konstatojmë se ky qytet është vendbanim i tipit të grumbulluar që shtrihet pranë rrugës. Popullata kryesisht në fillim ishte e ndare në lagje: ku ishin vendosur familjet përkatëse si Gashi, Kuçi, Elshani, Kryeziu, .Shala, Berisha etj. Ndërsa në vitet e fundit janë vendosur edhe shumë familje të fshatrave të ndryshme të kësaj komune, kështu që popullala tani është e përzier dhe e vendosur kryesisht në pjesët periferike.

Mikrotoponimet me karakteristike: Derven, Te Kisha, Granopole, Zabele, Slloxhe, Pojata, Lugje, Arat e Shehrinit, Hisari, Pallanka, Sranel etj.

Vendbanimi gjatë të kaluarës historike ka luajtur rol të rëndesishëm, si p.sh. nga periudha e sundimit osman ishte seli e kadillëkut të Sanxhakut të Prizrenit, gjatë Mbretërisë Jugosllave seli e Rrethit të Podgurit, ndërsa sot qendër administrative komunale.

Sa i përket gjurmimeve arkeologjike, mund të konstatojmë se lokaliteti i Therandës së sotme ishte i banuar që nga parahistoria. Në lokalitetin Hisari dhe Shiroka, si dhe në ngastrën e kësaj qendre janë gjetur materiale interesante të kulturës materiale, që dëshmojnë qartë ekzistimin e fiseve ilire shumë të hershme.

Vendbanimi i Hisarit, përkatësisht gradina parahistorike gjendet në kodrën që ngrihet në pjesën perëndimore të Therandës (Suharekës), në anën e djathtë të rrugës Therandë (Suharekë) – Prizren. Hisari i Suharekës i takon grupit kulturor dardan që u zhvillua gjatë shek. VIII-IV p.e.s. që nga periudha eneolitike. Ai përfshin cepin e teracës aluviale që shtrihet midis lumit të Toplluhës, të Suharekës dhe të Mushtishtit, në skajin juglindor të Rrafshit të Dukagjinit.

Vendbanimi zë platonë e sheshtë me trajtë ovale, me lartësi mbidetare 422 m. ka shërbyer në kuadër të sistemit mbrojtës. Pjesët e tjera të kodrës janë mjaft të rrëpirëta. Në këtë lokalitet mund të konstatohet prania e vendbanimit shumështresor, duke filluar prej elementeve të zonës kalimtare neolitike, nëpër kohën eneolite (të gurit-bakrit), të bronzit e të hekurit e deri te periudha e sundimit romak. Në vazhdim të teracës aluviale u zbuluan rastësisht gjetjet nga Shiroka, mbase nga varrezat e dysta dhe nekropolit tumular i Shirokës.

Nekropoli tumular gjendet në fshatin Shirokë, 1,5 km në jug të Suharekës. Në të djathtë të rrugës Therandë-Prizren gjendeshin dy tuma, ndërsa në anën e majtë të rrugës dy grupe prej tri tumash. Është nekropol i grupit kulturor dardan të tipit tumular, unaza rrethore të përbëra prej gurëve të lumenjve dhe të konstrukcioneve të varreve. Në afërsi të nekropolit të Shirokës gjendet vendbanimi kodrinor i Hisarit të Therandës dhe tumat e Dubiçakut. Nekropoli i Shirokës daton në shek. VIII-VII p.e.s. Në teracën e këtij vendbanimi janë zhdukur afro 22 tuma ilire gjatë hapjes së djerrinave për zhvillimin e vreshtarisë.

Duke u bazuar në gjurmimet arkeologjike mund të konstatohet se këtu ka qenë vendbanim ilir në kohën e bronzit deri te lateni dhe se banorët e tij mbanin lidhje tregtare me kolonitë greke në bregdetin Adriatik.

Është me rëndësi të theksohet edhe rreth lokalizimit të Therandës së vjetër ku kemi mendime të ndryshme, të cilat supozojnë se ky vendbanim ka ekzistuar në Suharekë apo në rrethinën e saj. Disa studiues këtë e lokalizojnë në trevën e kësaj komune, disa në mes të Prizrenit dhe ish Suharekës, e disa e lokalizojnë me Prizrenin. Në këte rast po e theksojmë supozimin e arkeologut të njohur Emil Çershkov i cili jep të dhëna se Theranda ka qenë një stacion rruge apo qendër e rëndësishme lokale për të cilën s’ka fakte të ruajtura me rëndësi. Ne duke u bazuar në të dhënat historike e arkeologjike mund të supozojmë se Theranda e dikurshme ishte diku afër këtij lokaliteti në drejtim të Prizrenit. Në këtë vendbanim në vendin afër varrezave të sotme jo larg lagjes së Kuqëve ka ekzistuar një kishë e vjetër shqiptare kështu edhe sot është ruajtur mikrotoponimi Te Kisha.

Në burimet arkivore përmendet për here të parë në vitin 1348. Këtë emër e gjejmë në krisobulën e Car Dushanit, me të cilin ai e formon manastirin e shënjtarëve Mihal dhe Gabriel në afersi të Prizrenit. Mirëpo ky emër ka të bëjë me një lumë të vogël që derdhet në anën e majlë të Drinit të Bardhë. Por besohet se këtu ka ekzistuar edhe lokaliteti me emrin Suharekë siç është quajtur një kohë. Pastaj paraqitet në Librin e shënimeve të manastirit të Shën Trinës i cili ka filluar të mbahet nga viti 1465  përmendet emri i këtij vendbanimi.

Është interesant se nuk e hasim në defterët osmanë ndoshta ishte i regjistruar me ndonjë emër tjetër ose ishte i braktisur?

Arqipeshkvi i Tivarit Gjergj Bardhi në raportin e tij dërguar në vitin 1638 Vatikanit thekson se është ndalur në Suhareke ku i krezmoi 45 persona pasi atje gjeti 15 shtëpi katolike me 120 banorë. Ndërsa Gërgur Mazreku më vonë në vitin 1650 i referon Kongregatës së Propagandës mbi gjendjen në misionin e vet. Përkitazi me Suhareken thekson se ajo dikur kishte pasur 160 shtëpi katolike të cilat tani janë myslimanizuar krejtësisht përveç disa grave. Gjeografi turk Haxhi Kallfa (vdiq kah viti 1655) e përmend me emrin Sahoriko në mes të Prizrenit Gjakovës dhe Pejes si stacion të rrugës në një largësi prej 18 ditë udhëtimi nga Stambolli.

Në hartën e venedikasit Gjakoma Kanteli da Vignola e vitit 1689, shenohet emri Suha Rik.

Në vitin 1761 territorin e dioqezës së Shkupit e vizitoi Shtjefën Gasperi. Ai në raportin e tij thekson se në këtë vendbanim kishin mbetur vetëm 20 gra në fenë e vjetër kurse të gjithë të tjerët në fshat kishin kaluar në fenë myslimane.

Udhëpërshkruesi austriak F. Mihailoviq në vitin 1783 e përmend këtë vendbanim “dorfund Schlos Szuha Reka”. Kah gjysma e shekullit XVII Suhareka përmendet si kadillëk i Sanxhakut të Prizrenit kurse në fillim të shekullit XIX përmendet edhe kadiu i Suharekës. Ami Bue duke kaluar nëpër këtë vendbanim në vitin 1836 shkruan se ka vërejtur vetëm banorë shqiptarë.

Në kohën e sundimit të Perandorisë Osmane Suhareka ka luajtur një rol me rëndësi në jetën shoqërore të kësaj treve të Podgurit dhe një pjese të Anadrinit. Në të ishte selia e bajraktarit të Bajrakut të Suharekës. Ky Bajrak ka pasur gjithsejt 42 fshatra të Podgurit dhe të Anadrinit, kurse kah fundi i shekullit XIX kishte 1.048 shtëpi. Bajraku është kujdesur veç tjerash edhe për sigurinë e rrugës së vjetër Shkodër-Kosovë, e cila kalonte nëpër këtë territor.

Me emrin Sahrika është e regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1986 (1314 h) dhe të vitit 1900 (1318 h).

Popullata e këtij vendbanimi është marrë kryesisht me bujqësi e blegtori. Në pikëpamje ekonomike ka ndikuar fillimi i punës së heku-rudhës së Vardarit – Kosovë në vitin 1873. Me këtë qarkullimi tregtar u orientua kah Selaniku kurse ai në drejtim të Shkodrës deri diku u dobësua. Mirëpo, Suhareka mbeti edhe më tujte qendër administrative e rrethinës së vet.

Theranda (Suharëka) dëri vonë pothuajse ishte fshat. Në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore për shkak te pozitës së volitshme gjeografike si qendër në mes të shumë fshatrave përreth filluan të hapen disa dyqane tregtare dhe zejtare kafene, dy furra shkolla fillore, fidanishtja, posta, ëmbeltorja, një rrojtore, një dyqan rrobaqepësie etj. Në këtë periudhë ajo është bërë edhe seli e rrethit të Podgurit. Suhareka filloi të fitojë elemente të një qyteze nga intervali kohor midis dy luftërave botërore, d.m.th. më 14 dhjetor 1928, kur zyrtarisht shpallet qytezë.

Me qëllim të kolonizimit të Kosovës me elementin sllav në vendbanimet e kësaj komune filloi me të madhe vendosja e kolonëve serbe e malazez. Objektiva ishte e të strukturës së popullsisë, e cila në këtë trevë ishte apsolutisht shqiptare. Kolonizimi mistifikohej me të ashtuquajturën reformë agrare e cila përdorej si pretekst i marrjes së tokës popullatës shqiptare dhe dhënies asaj kolone sllave. Kolonët ishin vendosur kryesisht afër qytezës në vendin e quajtur Shirokë, Topliqan, në koloninë e krijuar Kosanqiq etj. Administrata shtetërore në vetë qytezën kishte regjistruar vetëm 5 shtëpi kolonësh të ardhur nga Serbia. Ndërsa në lokalitetin Shirokë në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore u kolonizuan 13 familje kolone serbe, malazeze e ruse, ndërsa në lokalitetin Kosançiq u kolonizuan 23 familje kolone. Mirëpo në vetë qytezën, ishin vendosur edhe shumë kolonë të cilëve iu kishte dhënë toka, por edhe ishin të punësuar si nëpunës, mësues, xhandarë, ushtarakë etj. Në mesin e tyre kishte edhe pensionist. Këta tokën e marrë nga shqiptarët, sikurse shumë të tjerë ua jepnin me qesim që ta punonin popullata shqiptare e cila ishte në pozitë shumë të vështirë, pasi asaj iu kishte marrë një pjesë e tokës, pastaj pyjet, utrinat, kullotat etj.

Për shkak të trysnive, dhunës, vrasjeve të bërë mbi popullatën shqiptare duke filluar menjëherë pas okupimit të Kosovës nga pushteti serbo-malazez në tetor të vitit 1912 deri në vitin 1915, e më vonë në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore dhe në periudhën e ndërtimit socialist deri në vitet e gjashtëdhjeta të shek. XX shumë familje shqiptare nga ky lokalitet u detyruan të shpërngulën jashtë atdheut, kryesisht në Turqi, Shqipëri e gjetiu. Kështu në Shqipëri u shpërngulën nje familje e Bylykbashëve (Korçë), 2 familje të Kuçëve në Elbasan, 2 familje të Shalëve në Shkodër etj., ndërsa në Turqi jane shpërngulur dy familje të Kuçëve dhe shumë të tjera që nuk mundemi ti konsatojmë. Disa familje janë nisur por janë kthye nga Shkupi. Në vend të tyre pushteti sillte kolonë sllavë. Numri i familjeve të shpërngulura nga Theranda e sotme është i shumtë.

Gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore u ndërpre vala e shpërnguljeve të popullatës shqiptare dhe e kolonizimit me element sllav. Kosova u riokupua nga okupatorët fashist. Ekzistonte një “liri” relative. Mirëpo gjendja e popullatës u keqësua menjëherë pas vitit 1944, kur u vendos pushteti i ri jugosllav. Në aspektin ekonomik, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, për shkak të kushteve të reja të krijuara të sistemit shoqëroro-politik, në këtë trevë filloi një organizim i ri dhe transformim i zhvillimit më të shpejtë ekonomik. Ky zhvillim dhe transformim u realizua sidomos pas ndryshimeve kushtetutare në vitet e shtatëdhjëta. Vendbanimi u shndërrua në qytezë të vërtetë. Bujqësia luante rolin kryesor si bartëse e zhvillimit, e në këtë aspekt rol të veçantë luante vreshtaria dhe pastaj industria ushqimore. Shtyllë e zhvillimit u bë industria e shiritave transportues dhe rrypave trapezë “Ballkan”. Kjo fabrikë bëhet faktor me rëndësi shumë të madhe për transformin e komunës së Therandës. Përveç zhvillimit ekonomik, këtu që nga viti shkollor 1968/69 filluan të hapen edhe disa shkolla të mesme, si p.sh. shkolla teknike, gjimnazi etj. E tërë kjo ndikoi që popullata nga fshatrat e ndryshme, sidomos ato malore të shpërngulën dhe të vendosën në këtë qendër komunale, për shkak të mundësisë së punësimit, shkollimit etj. E tërë kjo rezultoi në zhvillimin shumë të hovshëm të qytetit, shtimit të madh të numrit të banorëve dhe rradhitjen e kësaj komune në radhen e qyteteve Indus-triale dhe me një punësim shumë të lartë. Sipas informatorit, deri në vitin 1960 në këtë vendbanim jetonin vetëm familjet e vjetra therandase. Në dhjetor të vitit 1969 ky vendbanim fitoi edhe rrymën elektrike.

Sa i përket numrit të banorëve, sipas shënimeve statistikore që posedojmë, rreth vitit 1879 kishte 65 shtëpi (56 shqiptare, 9 rome ortodokse) dhe ishte qendër e Bajrakut të Suharekës. Në fund të shek. XIX në një doracak ushtarak austro-hungarez ishte shënuar se Suhareka kishte 90-100 shtëpi shqiptare e pak serbe. Sipas dokumentit arkivor të vitit 1903, ky vendbanim përveç popullatës së shumtë shqiptare, kë.tu kishte vetëm 5 familje serbe. Në regjistrimin e popullsisë së vitit 1913 ishin të shënuar 998 banorë. Në vitin 1918 kishte 109 shtëpi me 804 banorë (94 shtëpi shqiptare myslimane me 722 banorë, 1 shtëpi shqiptare katolike me 3 banorë dhe 14 shtëpi serbe me 79 banorë). Ndërsa, në regjistrin e vitit 1921 ishin të shënuar 156 shtëpi me 945 banorë.

Shënimet statistikore pas Luftës së Dytë Botërore:

në vitin 1948 kishte 289 shtëpi me 1715 banorë;

në vitin 1952 – 1915 banorë;

në vitin 1955 – 2055 banorë;

në vitin 1961 – 443 shtëpi me 2708 banorë (2070 shqiptarë, 549 serbë, 46 malazez, 43 të tjerë);

në vitin 1971 – 594 shtëpi me 4148 banorë (3531 shqiptarë, 541 serbë, 23 malazez, 53 të tjerë);

në vitin 1981 – 935 shtëpi me 6547 banorë (5843 shqiptarë, 566 serbë, 19 malazez, 12 turq, 32 myslimanë, 75 të tjerë).

Sipas regjistrimit serb të vitit 1991 në qendrën komunale jetonin këta banorë: 569 serbë, 24 malazez, 28 mysliman, 12 jugosllavë, 7 turq, 165 romë, 1 egjiptian, 15 të tjerë. Banorët shqiptarë e kishin bojkotuan regjistrimin.

Sikurse edhe shumë vendbanime të Kosovës, gjatë vitit 1999, nga forcat ushtarake, paramilitare e policore serbe, edhë ky vendbanim pësoi mjaft, sidomos në popullatë. Sipas raportit të: Departmetit të Shtetit të SHBA, thuhet, se sipas njoftimeve, më 25 mars 1999 forcat serbe vranë të paktën 30 shqiptarë kosovarë duke e djëgur shumicën të gjallë brenda në shtëpi. Deri me 28 mars, forcat serbe kishin djegur 60% të ndërtesave të qytetit. Një refugjatë nga qyteti pohonte se më 4 prill forcat serbe kishin vrarë 40 burra, trupat e të cilëve i kishin hedhur në dy varre masive. Flitet se forcat ushtarake e policore serbe kanë vrarë më pas 350 shqiptarë etnikë nga ky qytet. Sipas njoftimeve të refugjatëve, një grup punonjësish të policisë serbe e bashkë me disa civilë serbë kishin grabitur e vrarë një familje shqiptare etnike ku në shtëpinë e tyre më parë kishin qenë të vendosur ish-zyrtarë të misionit të OSBE-së më pas forcat serbe kishin djegur trupat e viktimave. Njoftohet se e gjithë popullsia shqiptare etnike është dëbuar me force nga ky qytet.  Nga familjet shqiptare kishin pësuar më së shumti familjet e Berishëve, Elshanëve, Gashëve etj.

Sipas shënimeve të Human Rights Watch, thuhet se qyteti I Suharekës me afro 10.000 banorë (90% e tyre shqiptarë etnikë), është nje prej qyteteve që pësoi mjaft shumë në luftën e agresorit serb.

Vrasjet kishin filluar në 22 mars 1999, kur të paktën shtatë shqiptarë etnikë u ranë nga policia ose “u zhdukën pa lënë gjurmë” në rrethana krejtësisht të paqarta. Incidenti më i rëndë ishte vrasja në qytet e të paktën njëzet e katër anëtarëve të familjes së gjerë Berisha, duke përfshirë edhe njëmbdhjetë femijë nga mosha gjashëmbëdhjetë vjeç e poshtë, për shkak se i kishin dhënë dy shtëpi me qira OSBE-së. Kjo kishte ndodhë më 25 mars. Një pjesë e familjes Berisha kur u masakrua ishte ende në gjumë. Disa u vranë në një kafene në qendër të qytetit duke ikur për të kaluar një pjesën tjetër të qytetit. Disa kufarria ishin djegur. Kufomat i kishin ngarkuan në kamion dhe i kishin dërguar në drejtim të Prizrenit. Siç shkruan në raport, brenda gjysmë ore ishin vrarë dyzet e tetë njerëz. Ishin vrarë edhe shumë të tjerë. Këto abuzime i kishin kryer policia ose paraushtarakët serbë, të cilët, 1 vishnin uniforma me ngjyra nga më tëndryshmet: blu, gri ose të gjelbra. Një pjesë mbanin maska të zeza, ndërsa të tjerët flokë të gjatë. Disa kishin lidhur në krah shami të bardhe. Në raport ipen edhe shënime për këto vrasje dhe vrasje të tjera.

Sipas shënimeve të LDK, Theranda kishte 1230 shtëpi me rreth 12.000 banorë. Nga agresori serb në luftën e viteve 1998/99 janë djegur e shkatërruar 613 shtëpi. Ndërsa të vrarë janë 58 persona dhe 60 persona konsiderohen të zhdukur. Nga pasojat e barbarëve serbë në këtë qendër komunale, sipas evidencës së KMDLNJ për vilin 1999 janë vrarë e masakruar 64 persona të moshave të ndryshme dhe luftëtar të UÇK-së. Ka raste kur vrasjet janë bërë në prani të familjeve dhe të miturve, por edhe aso kohe brenda disa minutave janë shfarosur familje të tëra, siç i ndodhi familjes së Vesel Berishës, të cilit iu vranë të nëntë anëtarët e familjes, një foshnje deri tek e ëma 100 vjeçare. Jane shkatërruar me qindra objekte banimi, lokale afariste, magazina, shkolla, objekte fetare, objekte të tjera ekonomike, ndihmëse etj., numri i saktë i tyre vështirë që mund të përcaktohet. Minarja e xhamisë e ndërtuar më 1520 është minuar dhe është hedhur në ajër. Më vonë është shkatërruar edhe kisha ortodokse, e ndërtuar në vitin 1929. Në lokalitetin e këtij vendbanimi janë zbuluar 3 varreza masive.

Në lokalitetin e Shirokës, sipas shënimeve të Kuvendit Komunal para lufte jetonin 1350 banorë dhe kishte 170 shtëpi banimi. Nga këto shtëpi janë djegur e shkatërruar 135 shtëpi dhe shumë objekte të tjera, kurse nga banorët e saj janë vrarë 3. Sipas shënimeve të Kuvendit Komunal në vitin 2000 Theranda kishte 14.980 banorë.

Popullata Therandës, i përballoi të gjitha ato tortura e mizori barbare serbe. Pas luftës u kthye në vairat e veta. Filloi një jetë të re. Filloi rindërtimin e qytetit të tyre. Sot Theranda gjithnjë e më tepër po e fiton fizionominë e qendrës bashkëkohore urbane, si dhe gjithnjë e më tepër po i kryen funksionet bashkëkohorce të jetës shoqëroro-ekonomke, politike-administrative, kulturo-arsimore, shëndetësore etj. të popullsisë se këtij rajoni.

 

Busina:

Vendbanim i vjetër mesjetar i zhdukur i cili shtrihej diku në rrethinën e ish Suharekës.