Republika e Kosoves

Novobërdë

Kermabon viziton komunën e Novobërdës

2010/06/15 - 12:00

Novobërdë, 15 qershor – Shefi i EULEX-it Yves de Kermabon, me bashkëpunëtorët e tij e ka vizituar sot komunën e Novobërdës ku është pritur nga kryetari, Bajrush Ymeri dhe stafi i tij.

 

 

     Kryetari Ymeri e ka njoftuar z.Kermabon me zhvillimet në komunën e Novobërdës, me procesin e zgjedhjeve të fundit lokale në vend, formimin e qeverisë komunale dhe problemet aktuale të kësaj komune e cila është përfshirë në procesin e decentralizimit si komunë e zgjeruar.
     Z.Ymeri i ka thënë shefit të EULEX-it, Kermabon se komuna e Novobërdës është shembull për tërë vendin sa i përket aspektit të sigurisë, raporteve të mira mes komuniteteve të ndryshme si dhe bashkëqeverisjes multietnike. Në këtë drejtim, kryetari Ymeri ka thënë se ndjehet i pari i të gjithë qytetarëve të komunës që ai drejton, pa dallim etnik sepse ai ka marrë votën e të gjithëve.
    Megjithatë, kryetari Ymeri ka thënë se, përkundër situatës së qetë të sigurisë dhe marrëdhënieve të mira mes komuniteteve, komuna e Novobërdës mbetet një nga komunat më të varfra të vendit dhe, përveç kësaj ka edhe mungesë të institucioneve vitale për funksionim të mirëfilltë, siç është gjykata komunale.
     Duke u shprehur i impresionuar me situatën e sigurisë dhe marrëdhëniet e mira mes komuniteteve në komunën e Novobërdës, shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon ka thënë se do të përpiqet që, në bashkëpunim me institucionet qendrore, të bëjë çfarë është e mundshme lidhur me ofrimin e shërbimeve gjyqësore në komunën e Novobërdës. Kermabon po ashtu është interesuar edhe për procesin e kthimit të të shpërngulurve nga komuna e Novobërdës dhe i ka inkurajuar institucionet komunale që të bëjnë më shumë në këtë drejtim.
     Përveç vizitës në selinë e komunës, shefi i EULEX-it paraprakisht e ka vizituar edhe stacionin policor në Novobërdë ku është njoftuar për situatën e sigurisë dhe me nevojat që ka policia e komunës sonë.