KOMUNIKATË E KKSB-SË LIDHUR ME PROBLEMET E FURNIZIMIT ME ENERGJI ELEKTRIKE NË KOMUNËN E DRAGASHIT
2024/12/23 - 1:28
Të nderuar qytetarë të Komunës së Dragashit,
Kjo nuk është hera e parë që përfaqësues të institucioneve lokale dhe të bizneseve në Komunën tonë dalin me reagime publike për të shprehur shqetësimin e thellë lidhur me mungesën e furnizimit të rregullt me energji elektrike dhe papërgjegjësinë totale të autoriteteve kompetente për t’u ofruar qytetarëve tanë një zgjidhje të qëndrueshme.
Edhe pse në territorin e Komunës së Dragashit operojnë hidrocentrale që prodhojnë afër 20 Megavat energji elektrike, më shumë sesa konsumojnë qytetarët tanë, ajo përsëri neglizhohet nga institucionet përgjegjëse.
Qytetarët e Komunës sonë përveç që ballafaqohen me mungesë dhe ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike, edhe atëherë kur ka energji elektrike ata ballafaqohen me tension të ulët të rrymës, gjë që po shkakton edhe dëmtime të pajisjeve të amvisërisë dhe pajisjeve të punës të bizneseve.
KKSB apelon tek të gjitha palët përgjegjëse, KEDS, KEK dhe Qeveria e Kosovës që të angazhohen në përmirësimin e kushteve dhe të ofrojnë zgjidhje afatgjate për këtë situatë të krijuar. Ne kërkojmë që për këtë çështje të merren masa sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të mos vijë deri te ndonjë përkeqësim i mundshëm i situatës së sigurisë nga qytetarë të pakënaqur.
Me respekt,
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Dragashit
Bexhet Xheladini, kryetar i Komunës dhe
i KKSB-së