Republika e Kosoves

Dragash

U mbajt takimi me përfaqësues fetarë, të Shoqatës “Bereqeti” dhe të Kryqit të Kuq në Dragash: Temë diskutimi situata e krijuar nga vërshimet në Skënderaj

2023/01/25 - 7:42

Në vazhdën e takimeve për bashkërendimin e aktiviteteve me qëllim të ofrimit të ndihmës për qytetarët e prekur nga vërshimet në Komunën e Skënderajt, kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, priti në takim përfaqësues të dy Këshillave të Bashkësisë Islame, përfaqësues nga Shoqata “Bereqeti” nga treva e Opojës dhe Gorës, dhe përfaqësues nga dega e Kryqit të Kuq në Dragash.

Kryetari Xheladini informoi pjesëmarrësit e këtij takimi për vendimet që ka marrë Qeveria Komunale gjatë mbledhjes së fundit për veprimet që do të ndërmerren, si dhe për vizitën që do t’i bëjë Komunës së Skënderajt gjatë ditës së nesërme, për të parë nga afër situatën e krijuar nga vërshimet.

Përfaqësuesit e Këshillave të Bashkësisë Islame dhe të Shoqatës “Bereqeti” theksuan se kanë filluar aktivitetet për sigurimin e ndihmave, mjeteve financiare, veshmbathjeve dhe pakove ushqimore e higjienike, dhe se janë në koordinim të vazhdueshëm me organizatat simotra në Komunën e Skënderajt për vlerësimin e nevojave të qytetarëve të kësaj komune. Të dy Këshillat e Bashkësisë Islame në Dragash dhe në trevën e Gorës, kanë njoftuar se ditën e premte, në kohën e faljes së namazit të xhumasë, do të organizojnë grumbullimin e ndihmave dhe mjeteve financiare nëpër të gjitha xhamitë.

Gjithashtu, përfaqësuesit nga Kryqi i Kuq thanë se ekipet e tyre për reagim në raste të fatkeqësive, në bashkëpunim me strukturat komunale në Skënderaj, kanë intervenuar me veshmbathje dhe ujë të pijes si nevoja imediate për qytetarët atje. Ata theksuan se janë duke bërë vlerësimin e nevojave, dhe se në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare dhe Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, shumë shpejt do të sjellin një kontigjent me veshmbathje.

Të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim u dakorduan për bashkëpunim të mëtutjeshëm me Komunën e Dragashit dhe Kryetarin Xheladini, në mënyrë që të krijohen sa më shumë mundësi për ofrim të ndihmave dhe mbështetjes në forma të ndryshme për qytetarët e Komunës së Skënderajt dhe të gjitha komunat e prekura nga vërshimet.