Republika e Kosoves

Dragash

Kuvendi i Komunës mbajti Seancë Solemne për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Komunës së Dragashit

2024/06/15 - 9:58

Në sallën e Kuvendit të Komunës, sot u mbajt Seancë Solemne kushtuar 25-vjetorit të Çlirimit të Dragashit. Seanca u kryesua nga kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Dragashit, znj.Arijeta Skeraj.

Kryesuesja Skeraj uroi të gjithë qytetarët e Komunës së Dragashit për këtë Ditë, duke theksuar se duhet t’i kujtojmë me respekt dhe përulje të gjithë ata që u sakrifikuan për lirinë tonë dhe se duhet ta ndjekim me përkushtim rrugën e tyre, duke punuar pa u ndalur për ndërtimin e një të ardhme sa më të mirë.

Ndërkaq, Kryetari Xheladini tha se respekti dhe përulja për dëshmorët, veteranët dhe invalidët e Luftës, nuk do të pushojnë së shprehuri asnjëherë nga secili brez që po e gëzon dhe do ta gëzojë këtë liri, duke shtuar se Qeveria Komunale do të mbetet e përkushtuar për të zhvilluar një qeverisje lokale të suksesshme, e cila krijon mirëqenie dhe përmirëson jetën e qytetarëve tanë, pasi që kjo është puna më e mirë që mund të bëjmë për t’i dhënë kuptim lirisë sonë dhe për ta çuar në vend amanetin e atyre që dhanë gjithçka për këtë liri.

Këtë Seancë Solemne e bëri më të veçantë prezenca e përfaqësuesve të Shoqatës “HANDIKOS”, në krye me drejtorin, z.Bexhet Binaku nga Komuna e Drenasit, i cili udhëheq këtë shoqatë nga viti 1994. Ai dhuroi një mirënjohje për Kryetarin Xheladini, në shenjë falënderimi për kontriburin shumëvjeçar dhe qasjen humane e përkushtimin e madh ndaj personave me nevoja të veçanta.

Pas Seancës, aktivitetet vazhduan me homazhe në shtatoren e Komandantit Legjendar Adem Jashari, Varrezat e Dëshmorëve në Dragash dhe Buqe, si dhe në pllakën përkujtimore të dëshmorit turk, Husein Kutlu. Pas këtyre aktiviteteve, u mbajt një program artistik në Shtëpinë e Kulturës “Abdurrahman Gërdellaj”, ku performuan këngëtarë të mirënjohur dhe ShKA “Bresana”.