Republika e Kosoves

Dragash

Në Komunën e Dragashit u hap Qendra e Angazhimit të Komunitetit për Gratë

2024/11/07 - 8:53

Në Komunën e Dragashit sot u zhvillua ceremonia e përurimit të Qendrës së Angazhimit të Komunitetit për Gratë. Kjo qendër është dizajnuar për të ofruar një hapësirë të sigurt për gratë, ku ato do të mund të mblidhen dhe të zhvillojnë aktivitete të ndryshme sociale dhe kulturore. Përmes punëtorive, takimeve sociale dhe ngjarjeve të tjera, Qendra do të inkurajojë qytetarinë aktive, duke promovuar bashkëpunimin dhe përfshirjen në komunitet.
Hapja e Qendrës së Angazhimit të Komunitetit për Gratë është pjesë e Projektit “Mbështetja e integrimit të grave në komunat rurale të Kosovës – WIntegra”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe zbatohet nga organizata gjermane “Arbeiter-Samariter-Bund – Deutschland e.V.” (ASB) zyra në Kosovë, në partneritet me organizatën “WEntrepreneur” dhe në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Dragashit.
Kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, dhe kryesuesja e Kuvendit, znj.Arijeta Skeraj, kanë falënderuar të gjithë partnerët që janë pjesë e këtij projekti, të cilin e kanë cilësuar si një hap përpara drejt përmirësimit të kushteve, integrimit dhe avancimit të të drejtave të grave në Komunën e Dragashit, duke shtuar se angazhimi i qeverisjes lokale për barazinë gjinore dhe fuqizimin e gruas do të mbetet një prioritet i vazhdueshëm.