Në Komunën e Dragashit u mbajt Akademi Solemne për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit
2024/11/27 - 8:39
Në kuadër të Agjendës së aktiviteteve për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, sot në sallën e Kuvendit të Komunës së Dragashit u mbajt Akademi Solemne, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve lokale, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të institucioneve fetare dhe të sigurisë, si dhe qytetarë të shumtë.
Kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, i ka uruar të gjithë qytetarët me rastin e 28 Nëntorit. Ai ka thënë se kjo datë shënon dy ngjarje të rëndësishme për historinë e popullit shqiptar: Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari. Kryetari Xheladini është shprehur se shembulli i sakrificës së brezave të tërë për atdhe, na frymëzon të gjithëve që të punojmë me përkushtim për zhvillimin e Komunës dhe shtetit tonë.
Kryesuesja e Kuvendit, znj.Arijeta Skeraj, në emër të Kuvendit të Komunës ka uruar të gjithë qytetarët, duke thënë se 28 Nëntori është dita kur ne kujtojmë se liria nuk është e dhënë, por një e drejtë që duhet fituar dhe mbrojtur me përkushtim. Kryesuesja Skeraj ka thënë se duhet të marrim frymëzim nga guximi i atyre që luftuan për liri dhe të punojmë së bashku për një të ardhme të ndritur, me respekt për vlerat kombëtare, drejtësi dhe bashkim.
Në emër të OVL të UÇK-së, sekretari i kësaj organizate, z.Salih Shala, i uroi të gjithë qytetarët me rastin e përvjetorit të Pavarësisë. Gjithashtu, edhe shefi i Zyrës për Komunitete, z.Uzair Hamza, në emër të komuniteteve uroi të gjithë qytetarët për këtë festë.
Pas Akademisë Solemne, në mënyrë të organizuar u bënë homazhe te shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari, te Varrezat e Dëshmorëve në Dragash dhe Buqe, si dhe te Pllaka përkujtimore e dëshmorit Hüsein Kutlu.
Gjithashtu, përfaqësues të qeverisjes lokale morën pjesë në programin artistik të organizuar nga ShFMU “Fetah Sylejmani” në Dragash.