Republika e Kosoves

Dragash

Përfaqësues të KFOR-it Italian dhe Turk vizitojnë Komunën e Dragashit

2023/10/04 - 7:24

Sot kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini, priti në takim komandantin e KFOR-it Italian – Komanda Regjionale Perëndim, Kolonel Gabriele Vacca, të shoqëruar nga përfaqësues të LMT-së së KFOR-it Turk – Njësia në Dragash.

Kryetari Xheladini e shfrytëzoi këtë takim njoftues me Kolonelin Gabriele Vacca për t’ia paraqitur atij një pasqyrë të shkurtër të pozicionimit gjeografik dhe organizimit politik të Komunës së Dragashit. Më pas e informoi për sfidat dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohet Komuna jonë, si pasojë e pengesave të shumta të natyrës gjeografike dhe politike.

Kryetari Xheladini i falënderoi përfaqësuesit e KFOR-it për bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme për Komunën tonë, si dhe kërkoi që ta rrisin mbështetjen e tyre për komunat që gjenden në zona të thella dhe larg qendrave urbane, siç është Komuna e Dragashit.

Në anën tjetër, komandanti i KFOR-it, Kolonel Gabriele Vacca e falënderoi Kryetarin Xheladini për mikpritjen, duke premtuar se do t’i marrin parasysh kërkesat e tij për ta përkrahur Komunën e Dragashit. Në fund të takimit, ai e ftoi Kryetarin Xheladini që të marrë pjesë në takimin me kryetarët e komunave dhe përfaqësues të lartë institucionalë në kampin Villaggio Italia, i cili do të mbahet më 15 nëntor të këtij viti.