Përfaqësuesit e Qeverisë Komunale marrin pjesë në aktivitetin e organizuar për Ditët e Mjedrës
2024/10/07 - 10:30
Kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, së bashku me kryesuesen e Kuvendit, znj.Arijeta Skeraj, Nënkryetarin Resul Fetahu dhe pjesëtarë të tjerë të Kabinetit morën pjesë në Panelin e Diskutimit me temën “Ngritja e kapaciteteve të fermerëve të Mjedrës”, të organizuar nga Shoqata Regjionale e Mjedrës “HitBerry”.
Paneli u moderua nga Eroll Bajrami, afarist dhe profesionist në zhvillimin e sektorit të mjedrës në Dragash. Në këtë panel diskutimi prezantuan z.Kujtim Lepaja – Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës Kombëtare “Mjedra e Kosovës,” z.Naim Krasniqi – Menaxher i Përgjithshëm në Fondacionin “Agrodev,” z.Muzafer Luma – ekspert i bujqësisë, z.Flamur Sylejmani – përfaqësues nga Komuna e Dragashit, si dhe Vehap Bajrami – fermer lider i mjedrës në Komunën e Dragashit.
Në takim u diskutua për sfidat dhe arritjet e vitit që po e lëmë pas, si dhe hapat e mëtejshëm për vitin e ardhshëm.
Në fjalën e tij të hapjes së takimit, Kryetari Xheladini tha se sipërfaqet malore të Komunës së Dragashit janë hapësira me potencial të jashtëzakoshëm të kultivimit të mjedrës dhe frutave të ngjashme që mund t’u ofrojnë fermerëve tanë një mundësi të mirë për zhvillimin e bizneseve të tyre, andaj fokusi kryesor i qeverisjes lokale edhe në të ardhmen do të jetë hartimi i politikave afatgjata që ndikojnë drejtpërdrejt në fuqizimim e këtyre sektorëve, si dhe krijimi i një klime sa më të favorshme të bashkëpunimit me bizneset private, në mënyrë që së bashku ta çojmë përpara ekonominë tonë lokale.
Organizatorët e këtij takimi kanë theksuar se falë përkushtimit të Kryetarit Xheladini dhe angazhimit të tij të vazhdueshëm për të mbështetur zhvillimin e bujqësisë në Dragash, kjo zonë do të jetë një nga qendrat kryesore për kultivimin e mjedrës në Kosovë.