2023/08/16 - 9:57
Kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini, priti sot në takim Presidenten e Republikës së Kosovës, Sh.S. Vjosa Osmani.
Në takimin e zhvilluar në zyrën e tij, Kryetari Xheladini pasi e informoi Presidenten Osmani për të dhënat e përgjithshme të Komunës, ai u përqendrua në adresimin e kërkesave për realizimin e projekteve të shumta që mundësojnë zhvilimin ekonomik dhe turistik të Komunës së Dragashit, siç janë Granti i Katërt, i cili do të rregullojë pabarazinë financiare në mes të komunave të Kosovës, subfinancimi i projektit të Ujësjellësit nga ana e Qeverisë, korrigjimi i kufirit të Parkut Nacional i cili është bërë pengesë për zhvillimin e turizmit, heqja e masës së përkohshme nga ana Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për pronat komunale – si pasojë e këtij kontesti shumë investitor potencialë nuk po mund të investojnë në komunën tonë – ndryshimin politikave të subvencionimit të fermerëve dhe subvencionimi edhe i kullotave, përfundimi i rehabilitimit të rrugës Dragash-Brod, problemi i furnizimit me energji elektrike, integrimi i komuniteteve, hapja e rrugës përgjatë luginës së Lumit Plava etj.
Në anën tjetër, Presidentja Osmani theksoi se do t’i trajtojë me prioritet dhe do të angazhohet që t’i shtyjë përpara kërkesat e parashtruara nga Kryetari Xheladini.
Takimi u pasua nga vizita në Asamblenë Komunale, ku Kryetari Xheladini dhe Presidentja Osmani iu drejtuan me nga një fjalim delegatëve, familjarëve të dëshmorëve, veteranëve të luftës, përfaqësuesve të KBI-së, policisë, KFOR-it Turk, mysafirëve dhe qytetarëve të shumtë që ishin prezent në sallë.
Pas deklaratës së përbashkët për media, Kryetari Xheladini e shoqëroi Presidenten Osmani në vizitat që zhvilluan në OJQ-të “Avoko” dhe “Sensa”, si dhe në bizneset AEG SHARR, Hit-flores dhe MEKA, për të parë nga afër punën e këtyre organizatave dhe bizneseve të suksesshme nga Komuna e Dragashit.