Qeveria Komunale mbajti sot Mbledhjen XII të rregullt për vitin 2024
2024/11/26 - 11:00
Nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës, z.Bexhet Xheladini, Qeveria Komunale mbajti sot Mbledhjen XII të rregullt për vitin 2024, ku u trajtuan tri pika të rendit të ditës:
1.Njoftim për fitimin e Grantit të Performancës Komunale;
2.Përcaktimi i lokacionit për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale; dhe
3.Eventuale.
Në pikën e parë të rendit të ditës, Kryetari njoftoi se Komuna jonë ka fituar Grantin e Performancës Komunale për të tretën herë radhazi. Kjo arritje e rëndësishme reflekton angazhimin e pandërprerë të Qeverisë Komunale në drejtim të përmirësimit e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Këtë vit, Komuna e Dragashit ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm, duke realizuar një rritje të dyfishtë të vlerës së poentimit të grantit, krahasuar me vitet e kaluara. Ky rezultat është një dëshmi e përpjekjeve kolektive për të përmbushur objektivat strategjike dhe për të adresuar në mënyrë efikase nevojat e qytetarëve.
Në pikën e dytë të rendit të ditës, Qeveria Komunale diskutoi për përcaktimin e lokacionit për ndërtimin e Qendrës multifunksionale, një projekt kyç për zhvillimin e komunitetit. Pas analizimit të disa opsioneve, është zgjedhur një vendndodhje që plotëson nevojat e qytetarëve dhe siguron qasje të lehtë për të gjithë.
Qendra multifunksionale do të shërbejë si një hapësirë moderne për aktivitete sociale, kulturore dhe sportive, duke përfshirë salla për ngjarje të ndryshme, hapësira për trajnime dhe aktivitete rekreative. Ky projekt synon të krijojë mundësi të reja për komunitetin dhe të nxisë një jetë aktive dhe të shëndetshme për të gjithë grupmoshat.
Në pikën e fundit të rendit të ditës, anëtarët e këshillit diskutuan një sërë çështjesh të tjera të rëndësishme për komunitetin dhe planet e qeverisjes lokale.