SQARIM LIDHUR ME FUNKSIONIMIN E NGROHJES NËPËR SHKOLLA DHE FURNIZIMIN ME LËNDË DJEGËSE
2024/11/14 - 1:00
SQARIM LIDHUR ME FUNKSIONIMIN E NGROHJES NËPËR SHKOLLA DHE FURNIZIMIN ME LËNDË DJEGËSE
Pas reagimeve dhe dezinformatave të para disa ditëve për mosaktivizimin e ngrohjeve dhe mosfurnizimin me lëndë djegëse të shkollave, me kërkesë të kryetarit të Komunës, z.Bexhet Xheladini, dje dhe sot nënkryetari i Komunës dhe drejtori i DKA-së kanë vizituar të gjitha shkollat amë dhe paralelet e ndara nëpër të gjithë regjionin e Opojës, për të parë gjendjen aktuale lidhur me aktivizimin e ngrohjes dhe furnizmin e tyre me lëndë djegëse.
Gjatë kësaj vizite, ata janë takuar me drejtorët e shkollave, arsimtarë dhe nxënës, kanë vizituar klasët, depotë e druve si dhe kalldajat. Pas kësaj vizite është konstatuar se në të gjitha shkollat ngrohja është aktivizuar, të gjitha ambientet e shkollave janë të ngrohta dhe në të gjitha shkollat mësimi zhvillohet normalisht. Është konstatuar se në të gjitha shkollat ka sasi të konsiderueshme të lëndëve djegëse dhe Komuna e Dragashit është duke ndërmarrë hapa konkretë, në mënyrë që asnjë shkollë të mos mbetet pa ngrohje.
Përjashtim bën ShFMU “Fetah Sylejmani”, në të cilën kaldaja ka pësuar avari dhe si pasojë e rrjedhjes së ujit sistemi i ngrohjes ka qenë jashtë funksionit deri në orët e vona të mbrëmjes. Pas riparimit të defektit, sistemi i ngrohjes është aktivizuar dhe tash është duke funksionuar normalisht. Paralelisht kësaj, Zyra e Prokurimit ka shpallë tenderin për blerjen e kaldajës së re me dru dhe pelet. Edhe në këtë shkollë mësimi është duke u zhvilluar normalisht, por sot ngrohja në këtë shkollë është bërë me metoda alternative.
Andaj, konsiderojmë se akuzat dhe kritikat për mosekzistim të ngrohjes në shkolla dhe probleme me furnizim me lëndë djegëse nëpër shkolla janë të pabazuara dhe tendencioze.
Komuna e Dragashit mbetet e përkushtuar në sigurimin e të gjitha kushteve të nevojshme për një zhvillim normal të procesit mësimor në të gjitha shkollat tona.
Me respekt,
Zyra për Informim
Komuna e Dragashit