Takimi i Kyetarit Xheladini me Shefen e UNICEF-it
2024/12/06 - 1:40
Kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini, priti në takim znj.Veronika Vashchenko, Shefen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë. Gjatë këtij takimi, Kryetari Xheladini shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën e vazhdueshme që UNICEF-i ka ofruar institucioneve të komunës, duke përfshirë arsimin, shëndetësinë dhe çështjet sociale.
“UNICEF-i ka qenë gjithmonë një partner i rëndësishëm për Komunën tonë, duke kontribuar në projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e fëmijëve tanë,” theksoi Kryetari.
Ai përmendi disa projekte të suksesshme,si:
• Programi i vizitave shtëpiake;
• Përkrahja me staf, pajisje dhe orendi për çerdhen në Dragash;
• Hapja e qendrës për fëmijë me nevoja të veçanta në Dragash;
• Hapja e dy klasëve me bazë në komunitet në Bresanë;
• Ndërmjetësimi për ndërtimin e çerdhes në Bresanë;
• Përkrahja për shumë programe të tjera në dobi të fëmijëve;
Kryetari Xheladini rikonfirmoi gatishmërinë e tij për të mbështetur çdo iniciativë që synon përmirësimin e kushteve të jetesës dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Komunën e Dragashit. Në përfundim të takimit, ai parashtroi disa kërkesa që kërkojnë vëmendje dhe përfshirje në planifikimet e ardhshme të UNICEF-it.
Nga ana e saj, znj. Vashchenko falënderoi Kryetarin dhe institucionet komunale për bashkëpunimin e frytshëm dhe ndau planet për iniciativat e ardhshme, me fokus në përmirësimin e arsimit, shëndetit dhe mbrojtjes sociale për fëmijët dhe të rinjtë e Dragashit.
Pas takimit, z. Xheladini dhe znj. Vashchenko vizituan Shkollën Fillore “Fetah Sylejmani” në Dragash dhe Shkollën Fillore “28 Nëntori” në Bresanë, për të parë nga afër punën dhe përkushtimin që bëhet në këto institucione arsimore. Vizita shërbeu gjithashtu për të vlerësuar ndikimin e projekteve ekzistuese dhe për të identifikuar mundësi të reja bashkëpunimi.
Pas përfundimit të vizitave nëpër shkolla, znj. Vashchenko vizitoi Qendrën “AVOKO” në Dragash, ku u njoh nga afër me aktivitetet që zhvillohen për të mbështetur komunitetin lokal.