Republika e Kosoves

Dragash

U mbajt mbledhja e katërt e rregullt e KKSB-së për vitin 2023

2023/08/14 - 11:14

Sot u mbajt mbledhja e katërt e rregullt për vitin 2023 e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), e cila u kryesua nga kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini. Në këtë takim u diskutuan këto pika të rendit të ditës:
1. Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit nga takimi i III-të,
2. Vlerësim i përgjithshëm i gjendjes së sigurisë, çështjet politike dhe të sigurisë gjatë dymujorit të kaluar, veprimet dhe masat për luftimin e shkelësve të ligjit, si dhe masat për shkelësit e ligjit në komunikacion në Komunën e Dragashit,
3. Diskutim rreth vetëdijesimit të qytetarëve për parandalimin nga zjarri gjatë sezonit veror dhe shtimi i masave të sigurisë,
4. Monitorimi dhe raportimi mbi nivelin e sigurisë në shkolla dhe zbatimin e Planit për siguri në shkolla, dhe
5. Të ndryshme.

Sipas raportimit të komandantit të Stacionit Policor në Dragash, gjendja e përgjithshme e sigurisë në komunën tonë u vlerësua e qetë dhe stabile. Sa i përket gjendjes së sigurisë në komunikacion gjatë kësaj kohe kur fluksi i automjeteve për shkak të ardhjes së mërgimtarëve ka qenë i madh, u theksua se funksionalizimi i Rrugës Unazore në Dragash ka pasur efekte pozitive. Gjithashtu, numri i rasteve të aksidenteve në trafik nuk ka qenë i madh dhe Stacioni Policor në Dragash ka marrë të gjitha masat e nevojshme për ndëshkimin e të gjithë shkelësve të ligjit dhe kundërvajtësve në trafik.

Drejtori i DKA-së dhe drejtori për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike raportuan për nivelin e sigurisë në shkolla, përkatësisht për masat e ndërmarra dhe efektet pozitive që kanë pasur thirrjet drejtuar qytetarëve për kujdesin ndaj zjarreve dhe parandalimin e tyre, me qëllim të ruajtjes së sigurisë dhe ambientit.