Republika e Kosoves

Lipjan

 

Fillojnë dëgjimet publike për Kornizën Afatmesme Buxhetore për periudhën 2025-2027

2024/06/05 - 5:43

Fillojnë dëgjimet publike për Kornizën Afatmesme Buxhetore 📊 për periudhën 2025-2027
Me qëllim të përfshirjes së qytetarëve në procesin e vendimmarrjes, Komuna e Lipjanit ka filluar sot dëgjimet publike për planifikimin e buxhetit për Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2025-2027.
Takimet e para janë mbajtur në sallën e Kuvendit të Komunës së Lipjanit, me pjesëmarrjen e anëtarëve të Kuvendit Komunal, Komitetit për Politikë dhe Financa, Komitetit për Komunitete dhe komiteteve të tjera. Më pas, diskutimet kanë vazhduar me përfaqësuesit e Shoqatave të Grave, Shoqërisë Civile, Personave me Aftësi të Kufizuara, Shoqatave të të Rinjve, Klubeve Sportive, Fermerëve dhe banorëve të qytetit të Lipjanit.
Drejtori për Buxhet dhe Financa, z. Latif Ramadani, ka theksuar se qarkorja e parë buxhetore përcakton kufijtë fillestarë për përgatitjen e planifikimit të shpenzimeve për KAB për periudhën 2025-2027. Kufijtë përfundimtarë do të përcaktohen në qarkoren e dytë buxhetore, bazuar në nevojat e drejtorive dhe prioritetet e qytetarëve, të cilat do të adresohen gjatë dëgjimeve publike.
Gjatë takimeve të sotme, u trajtuan çështje të ndryshme që lidhen drejtpërdrejt me nevojat e qytetarëve të Lipjanit.