Kryetari Ahmeti mbajti takim publik me qytetarët
2024/12/27 - 11:51
Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, sot në sallën e Kuvendit Komunal, në përmbyllje të vitit 2024, mbajti një takim publik me qytetarët, të cilët i njoftoi për punët e realizuara, sfidat dhe të arriturat e komunës gjatë këtij viti që po e lëmë pas.
Kryetari Ahmeti shprehu kënaqësinë për investimet e realizuara gjatë vitit, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Komunës së Lipjanit. Ai cilësoi vitin 2024 si një vit shumë të suksesshëm, duke ia atribuar këtë sukses qytetarëve të Lipjanit.
Në këtë takim, Kryetari Ahmeti veçoi disa nga projektet kryesore, duke përmendur ndërtimin e nënkalimit dhe parkingut nëntokësor, asfaltimin e mbi 62 kilometra rrugë, ndërtimin e 9 kilometra trotuare, shenjëzimin dhe ndriçimin publik. Në sektorin e shëndetësisë, po ndërtohet qendra urgjente në qytetin e Lipjanit dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF). Në arsim, janë realizuar renovime efikase të shkollave në disa vendbanime, ndërsa mbi 800 fermerë kanë përfituar mbështetje. Në fushën e sportit dhe kulturës, janë alokuar mbi 205 mijë euro.
Kryetari Ahmeti u shpreh i bindur se në vitin e ardhshëm do të realizohen edhe më shumë projekte, ndonëse përmendi edhe sfidat që kanë shoqëruar punën e deritanishme. Ndër sfidat kryesore, ai theksoi mungesën e mbështetjes nga niveli qendror dhe çështjet e lidhura me kontratat kolektive.
“Sfidat nuk kanë qenë të lehta dhe kanë përfshirë kryesisht mungesën e mbështetjes financiare për përpjekjet tona, si dhe pengesat në Organin e Shqyrtimit të Prokurimit (OSHP), ku kemi disa lëndë. Një nga këto është Shtëpia e Kulturës, një projekt që presim të fillojë, por që ende po zhagitet në shkallën e dytë të OSHP-së. Po ashtu, është çështja e urës së shtratit të Lumit Sitnica dhe mirëmbajtja e ndriçimit publik, e cila, me apo pa qëllim, po na dëmton. Janë gjithashtu disa lagje që kanë nevojë për ndriçim publik,” tha Kryetari Ahmeti.
Ai theksoi se komunat nuk janë nënshkruese të kontratave kolektive, por pasojat e tyre po i bartin vetë ato.
“Një ndër problemet më të mëdha që kemi hasur gjatë këtij viti dhe që mendoj se do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm është përmbarimi gjyqësor për kontratat kolektive të punëtorëve të arsimit. Ekzekutimi përmes përmbaruesve privatë prek buxhetin e komunave, përfshirë buxhetin e komunës sonë. Kjo ka penguar realizimin e projekteve shtesë, sepse komunat, ndonëse nuk janë nënshkruese të këtyre kontratave, bartin pasojat e tyre,” tha Kryetari Ahmeti.
Ai shtoi se realizimi i buxhetit të komunës për vitin 2024 ka qenë i suksesshëm, me rreth 97.62% të buxhetit total të realizuar, ndërsa investimet kapitale kanë tejkaluar pritshmëritë, duke arritur në 95.60%.
“Të hyrat vetanake kanë shënuar progres të jashtëzakonshëm, duke tejkaluar planifikimin buxhetor. Deri në këtë pjesë të muajit dhjetor, janë realizuar 3,316,138.01 euro, duke tejkaluar planifikimin prej 2,532,006.00 euro. Në raport me vitin 2023, progresi është rritur me 30.93%,” tha Kryetari Ahmeti.
Ai theksoi se Komuna e Lipjanit është renditur ndër komunat me performancë të mirë, sipas vlerësimeve nga organizata dhe institucione vendore e ndërkombëtare.
“Sot kemi marrë një lajm të mirë për përfitimin e Grantit të Performancës prej 1,041,380.61 euro, një arritje që pasqyron menaxhimin e mirë, transparencën dhe llogaridhënien e komunës sonë,” tha Ahmeti.
Për transparencë buxhetore, Komuna e Lipjanit është renditur e para nga organizata GAP dhe ka marrë vlerësime të larta nga KDI dhe organizata të tjera.
Në fund të takimit, Kryetari Imri Ahmeti uroi qytetarët për festat e fundvitit dhe i ftoi të vazhdojnë bashkëpunimin për zhvillimin e qytetit dhe vendbanimeve. Ai theksoi se sukseset nuk mund të arrihen pa përfshirjen dhe aktivizimin e qytetarëve.
Nga ana tjetër, qytetarët e pranishëm e falënderuan kryetarin Ahmeti për arritjet e komunës gjatë vitit 2024 dhe paraqitën kërkesat e tyre për investime të reja në të ardhmen.