Republika e Kosoves

Lipjan

 

Kryetari Imri Ahmeti, prezantoi raportin vjetor të punës

2024/02/29 - 5:10

Sot në seancën e 27-të të Kuvendit Komunal, Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti ka prezantuar raportin vjetor të punës për vitin 2023.

Gjatë prezantimit të këtij raporti vjetor, kryetari Ahmeti ka theksuar se vitin që lamë pas kemi arritur që ta përmbyllim me sukses, ashtu edhe qysh e kishim planifikuar në planin tonë të punës.
Në vazhdimësi jemi angazhuar që të gjithë qytetarëve lipjanas t’iu ofrojmë kushte dhe shërbime sa më cilësore.
“Jam mëse i kënaqur me rezultatet e arritur nga Komuna e Lipjanit. Një ndër objektivat kryesore ka qenë transparenca dhe publikimi i të gjitha raporteve lidhur me menaxhimin dhe shpenzimin e buxhetit, raporteve rreth inkasimit të të hyrave vetanake dhe menaxhimin e pasurisë. Në raportin e fundit të publikuar nga Instituti GAP “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave”, Komuna e Lipjanit renditet e para për transparencë Buxhetore. Lipjani bën pjesë në kuartilin e lartë me 100 pikë të grumbulluara është renditur si komuna më transparente. Gjithashtu KDI në raportin saj, rendit Lipjanin komunën e dytë më transparente në Kosovë.
Ndërsa në raportin e MAPL-së në projektin DEMOS, Komuna e Lipjanit ka përfituar Grant Përformance në vlerë 1,843.786.22 €, është shprehur kryetari Ahmeti.
Ai po ashtu ka thënë se edhe këtë vit e hyra vetanake në komunën tonë shënon progres të jashtëzakonshëm duke tejkaluar planifikimin buxhetor, ku deri në fund të vitit (2023) në total e hyra vetanake ka kaluar planifikimin fillestar për 50.69%.
Gjatë prezantimit të këtij raporti, kryetari z. Imri Ahmeti ka shpalosur të gjitha të arriturat e Komunës së Lipjanit në vitin 2023, projektet e realizuara dhe sfidat me të cilat është përballur ekzekutivi komunal gjatë kësaj periudhe raportuese.
“Konsideroj se në aktivitetet tona objektiv e përhershme mbetet qeverisja e ligjshme, transparente dhe llogaridhënëse. Mirëpo çdo herë periudhat raportuese reflektohen edhe me sfida të ndryshme që kemi para vetës”, ka thënë Kryetari Ahmeti mes të tjerash, duke shtuar se pavarësisht sfidave qyteti ynë po rritet, komuna jonë mbetet komuna me progres të jashtëzakonshëm, Lipjani mbetet konkurent i fortë në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror.
Do të vazhdoj të angazhohem fort e me përgjegjësi të zhvillojmë vendin tonë, komunën tonë. Mbështetja juaj është determinuese e sukseseve tona.