Republika e Kosoves

Lipjan

 

Mbahet edicioni i tretë i panairit P-GJASHT në Lipjan

2024/06/08 - 3:30

Me mbështetjen e Komunës së Lipjanit, sot në shënimin e Ditës së Shkollës në SHFMU “Vëllezërit Frashëri” u mbajt edicioni i tretë i panairit tradicional të Gjuhës, Artit, Shkencës dhe Teknologjisë (P-GJASHT).

Kryetari i Komunës së Lipjanit z. Imri Ahmeti, deklaroi se panaire të tilla meritojnë mbështetje institucionale.
“Mbështetja e aktiviteteve si P-GJASHT është një investim i vlefshëm në të ardhmen e fëmijëve tanë dhe në zhvillimin e komunitetit tonë, duke i nxitur ata të jenë më aktivë dhe kërkues për përvoja të reja,” ka thënë kryetari Ahmeti.
Ky panair, me karakter edukativ, kreativ dhe garues, mblodhi qindra nxënës nga të gjitha shkollat e komunës dhe disa shkolla të regjionit, me projekte inovative nga fusha të ndryshme. Risia e këtij viti ishte pjesëmarrja e klasave të pesta, “Shkencëtarët e vegjël,” ku fituesit do të kualifikohen për panairin ndërkombëtar ASEF Albany 2024 dhe do të financohen nga DKA-ja 🏅🌍.
Ndërsa në fjalën e tij, drejtori i SHFMU “Vëllezërit Frashëri” z. Jakup Bahtiri, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në panair dhe theksoi rëndësinë e organizimeve të tilla për zhvillimin e nxënësve. Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen e tij ndaj kryetarit Ahmeti për mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha aktivitetet dhe garat ku shkolla “Vëllezërit Frashëri” ka marrë pjesë.