Mbahet takimi i gjashtë i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB)
2024/12/27 - 11:49
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), i kryesuar nga Nënkryetari i Komunës së Lipjanit, z. Diamant Bytyqi, mbajti sot takimin e gjashtë të rregullt për këtë vit. Gjatë takimit, u diskutua gjendja e sigurisë dhe çështje të tjera me rëndësi për territorin e Komunës së Lipjanit.
Në hapje të takimit, Nënkryetari z. Bytyqi informoi anëtarët e KKSB-së për zhvillimet më të fundit, duke theksuar përurimin e projektit më madhor të këtij viti – ndërtimin e nënkalimit dhe parkingut nëntokësor. Ky projekt, me vlerë mbi 6 milionë euro, u realizua brenda 14 muajve dhe u financua tërësisht nga të hyrat vetanake të Komunës së Lipjanit.
“Siç keni mundur ta shihni mbrëmë, kemi përuruar nënkalimin dhe parkingun nëntokësor, i cili është një nga projektet më madhore të realizuara ndonjëherë në komunën tonë. Ky projekt jo vetëm që u finalizua brenda një periudhe të shkurtër kohore prej 14 muajsh, por gjithashtu përfaqëson një investim historik të financuar plotësisht nga buxheti komunal,” tha z. Bytyqi.
Drejtori i Shërbimeve Publike, z. Burim Rrustemi, raportoi lidhur me mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit dimëror, duke theksuar se deri më tani, të gjitha rrugët janë mirëmbajtur sipas standardeve të përcaktuara.
Gjatë takimit, togeri i Policisë së Kosovës në Lipjan, z. Metush Jashari, prezantoi një raport të detajuar mbi gjendjen e sigurisë në komunë. Ai paraqiti statistika mbi shkeljet e rregullave të trafikut dhe vlerësoi se gjendja e përgjithshme e sigurisë në komunë mbetet e qetë dhe stabile.
Koordinatori i KKSB-së, z. Haqif Rrustemi, theksoi rëndësinë e implementimit të strategjisë për sigurinë dhe i bëri thirrje anëtarëve që për vitin e ardhshëm të planifikojnë aktivitete konkrete që do të realizohen në kuadër të KKSB-së.
Ky takim shërbeu si një mundësi për të vlerësuar progresin aktual dhe për të planifikuar hapat e ardhshëm për përmirësimin e sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve të Komunës së Lipjanit.