Mbahet takimi i katërt i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB)
2024/10/03 - 3:42
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), kryesuar nga Nënkryetari i Komunës së Lipjanit, z. Diamant Bytyqi, mbajti sot takimin e katërt të rregullt për këtë vit, ku u diskutua gjendja e sigurisë në territorin e Komunës së Lipjanit.
Nënkryetari z. Bytyqi informoi anëtarët e KKSB-së për zhvillimet aktuale, duke njoftuar gjithashtu për miratimin e buxhetit të Komunës, i cili u aprovuar në seancën e fundit të kuvendit.
“Në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës së Lipjanit është miratuar buxheti në vlerë prej 24,897,038 euro, i cili pritet të kontribuojë në realizimin e projekteve të shumta zhvillimore në të gjithë komunën,” tha Nënkryetari z. Bytyqi.
Gjatë takimit, komandanti i Policisë së Kosovës për Lipjan, z. Argjend Gashi, prezantoi një raport të detajuar mbi gjendjen e sigurisë në komunë, duke përfshirë statistika për shkeljet në trafik, dhe vlerësoi se gjendja e përgjithshme e sigurisë është e qetë.
Anëtarët e KKSB-së theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe bënë thirrje për angazhim më të madh të qytetarëve në bashkëpunim me policinë për përmirësimin e sigurisë në komunitet.