Republika e Kosoves

Lipjan

 

Rritja e ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit: Zbulimi i hershëm shpëton jetë

2024/10/01 - 10:12

Në kuadër të Muajit Rozë, kushtuar ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, në Komunën e Lipjanit u organizua takim për të koordinuar aktivitetet e planifikuara dhe për të diskutuar përpjekjet e përbashkëta ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, me qëllim krijimin e një mjedisi mbështetës për gratë që përballen me kancerin e gjirit.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti theksoi rëndësinë e kësaj nisme dhe përkushtimin e komunës për të mbështetur gratë që përballen me këtë sëmundje.
“Ndërgjegjësimi dhe edukimi për kancerin e gjirit janë thelbësore. Bashkë me institucionet tona shëndetësore, ne jemi të përkushtuar për të siguruar që çdo grua të ketë qasje në kontrolle shëndetësore dhe mbështetje, sidomos gjatë këtij muaji ndërgjegjësues” tha kryetari Ahmeti.
Ai po ashtu ftoi qytetarët e Lipjanit të marrin pjesë në aktivitetet e Muajit Rozë, për të përhapur sa më shumë mesazhin e rëndësisë së kontrolleve të rregullta shëndetësore dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të shëndetshme për gratë në Lipjan dhe më gjerë.
Në anën tjetër, Drejtori për Shëndetësi dhe Përkujdesie Sociale, z. Shkelzen Hajdini njoftoi se këtë vit Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Mehdi Zejnullahu” në Lipjan do të ofrojë shërbime falas të mamografisë për të gjitha gratë që kanë nevojë.
“Mamografia është një hap vendimtar për diagnostikimin e hershëm dhe shpëtimin e jetëve, prandaj, inkurajoj të gjitha gratë mbi 40 vjeçare të bëjnë një kontroll dhe të kujdesen për shëndetin e tyre” është shprehur drejtori Hajdini.
Ndërsa Zëdhënësja e Komunës së Lipjanit, znj. Hyra Bytyçi, njëkohësisht kryesuese e Grupit të Grave, theksoi rëndësinë e përfshirjes së institucioneve lokale në mbështetjen e kauzave shëndetësore, veçanërisht atyre që prekin gratë. Ajo bëri thirrje për rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbështetjes për këtë çështje, duke shpresuar që kjo kampanjë të sjellë ndryshime pozitive dhe ta vendosë kujdesin shëndetësor të grave si prioritet në komunitet.
Aktivitetet e Muajit Rozë në Lipjan synojnë të krijojnë një mjedis mbështetës për gratë dhe të nxisin kujdesin e hershëm shëndetësor, duke forcuar ndërgjegjësimin për rëndësinë e parandalimit dhe trajtimit të kancerit të gjirit.