Republika e Kosoves

Lipjan

 

U organizua diskutimi publik për Hartimin e Planit të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara.

2024/06/06 - 2:40

Drejtoria për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale sot ka organizuar diskutim publik për Hartimin e Planit të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara.
Me këtë rast Nënkryetari i Komunës së Lipjanit z. Diamant Bytyqi, theksoi angazhimin e komunës për të zhvilluar shërbime që adresojnë nevojat specifike të personave me aftësi të kufizuara.
“Dokumente të tilla synojnë gjithmonë harmonizimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve, komunitetit lokal dhe organizatave joqeveritare, për të siguruar që çdo veprim të jetë drejtpërdrejt i lidhur me nevojat e personave me aftësi të kufizuara,” ka thënë Nënkryetari Bytyqi.
Ai vlerësoi gjithashtu përkushtimin e Kryetarit Imri Ahmeti për përfshirjen dhe integrimin e personave me aftësi të kufizuara në të gjitha sferat e jetës publike. Në qytetin e Lipjanit infrastruktura është përmirësuar ndjeshëm, duke ndërtuar pjerrinat e nevojshme që lehtësojnë lëvizjen e personave me aftësi të kufizuara deri te shërbimet institucionale.
Pastaj drejtoresha e Departamentit për Demokratizim znj. Pascale Roussy nga OSBE, ka thënë se OSBE-ja këtë vit po shënon 25-vjetorin e operimit të saj në Kosovë. Me këtë rast, ajo ka shprehur rëndësinë e këtij plani, i cili sigurisht ruan në vetvete respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, të cilat garantohen edhe nga OKB-ja, andaj dua ta falënderoj dhe të shpreh mbështetjen e OSBE-së për Komunën e Lipjanit për këtë iniciativë tejet të rëndësishme.
Ndërkohë Drejtori për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale, z. Shkëlzen Hajdini, prezantoi para të pranishmëve hartimin e planit, i cili synon krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara.
Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim me OSBE-në.